Mbi dy javë vonesë, familjeve të policëve të rënë në detyrë ende nuk u ekzekutohen pagesat e muajit dhjetor
Kanë kaluar mbi dy javë që nga koha kur do të duhej që Qeveria e Kosovës t’i ekzekutonte pagesat për familjet e policëve të rënë në kryerje të detyrës. Por pavarësisht kësaj, Ministria e Financave e drejtuar nga Hekuran Murati nuk e ka bërë një gjë të tillë, madje as nuk është deklaruar për këtë…
Lajme
Kanë kaluar mbi dy javë që nga koha kur do të duhej që Qeveria e Kosovës t’i ekzekutonte pagesat për familjet e policëve të rënë në kryerje të detyrës.
Por pavarësisht kësaj, Ministria e Financave e drejtuar nga Hekuran Murati nuk e ka bërë një gjë të tillë, madje as nuk është deklaruar për këtë çështje.
Familjarë të policëve të rënë kanë deklaruar për lajmi.net se ende nuk i kanë marrë paratë të cilat iu takojnë dhe as nuk janë kontaktuar as nga Policia, as nga Ministria dhe as nga Sindikata e Policisë së Kosovës se pse po ndodhë kjo.
Të njëjtit po ashtu thanë se një vonesë e tillë në ekzekutim iu ishte bërë edhe gjatë verës, më saktësisht në muajin gusht.
Ditë më parë, Sindikata e Policisë së Kosovës njoftoi se pagesat për muajin dhjetor nuk ishin kryer fare, e situate vazhdon të jetë e njëjtë edhe sot.
“Sindikata shpreh shqetësimin e saj të thellë lidhur me mos-pagesën e familjeve të policëve të rënë gjatë kryerjes së detyrës për muajin dhjetor. Edhe pse nga Drejtoria e Financave është bërë kërkesa zyrtare për ndarjen e mjeteve financiare në vlerë prej 290,000 euro, deri më tani këto mjete nuk janë ekzekutuar nga Ministria e Financave. Si pasojë, familjet e policëve të rënë në detyrë, të cilët janë një kategori e shenjtë dhe e respektuar për vendin tonë, kanë mbetur pa pagesë edhe pas përmbylljes së vitit”,thuhet në njoftim.
Tutje u tha se kjo situatë është e papranueshme dhe e dhimbshme, duke marrë parasysh sakrificën sublime të këtyre familjeve, të cilat kanë dhënë bijtë dhe bijat e tyre për sigurinë e vendit tonë, ruajtjen e rendit publik dhe mbrojtjen e qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Sindikata e Policisë së Kosovës u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse, në veçanti Ministrisë së Financave, që sa më parë të gjejnë zgjidhje dhe të realizojnë pagesat e mbetura, në mënyrë që të mos cenohet dinjiteti dhe mirëqenia e këtyre familjeve
E pavarësisht këtyre thirrjeve, paratë nuk u janë transferuar familjeve në fjalë.
Në Kosovë janë gjithsej 24 zyrtarë policorë të cilët kanë humbur jetën përgjatë kryerjes së detyrës zyrtare.
Në mesin e shumë këtyre zyrtarëve ka edhe zyrtarë policorë që vdiqën derisa po ruanin çdo pëllëmbë toke në sulmet e serbëve- e një nga ta është edhe zyrtari policor Afrim Bunjaku, për të cilin Qeveria e Kosovës shpesh herë pati fjalë të mëdha e vlerësuese (por siç duket në rastin e kryerjes së këtyre pagesave u harrua gjithçka)./Lajmi.net/
