Mbi 8.700 viktima nga tërmetet në Turqi dhe Siri

Në Turqi dhe Siri, si pasojë e tërmeteve të fuqishme të 6 shkurtit, janë vrarë mbi 8.700 persona. Zyrtarët thanë më 8 shkurt se 6.234 persona janë konfirmuar se janë vrarë në Turqi dhe 2.470 në Siri. Numri i viktimave pritet të rritet, teksa ekipet e shpëtimit kanë vazhduar të kërkojnë për të mbijetuar të…

Bota

08/02/2023 08:36

Në Turqi dhe Siri, si pasojë e tërmeteve të fuqishme të 6 shkurtit, janë vrarë mbi 8.700 persona.

Zyrtarët thanë më 8 shkurt se 6.234 persona janë konfirmuar se janë vrarë në Turqi dhe 2.470 në Siri. Numri i viktimave pritet të rritet, teksa ekipet e shpëtimit kanë vazhduar të kërkojnë për të mbijetuar të tërmeteve të fuqishme.

Tërmeti i parë i 6 shkurtit ishte 7.8 ballësh me epiqendër rreth 26 kilometra nga qyteti Nurdagi dhe rreth 33 kilometra larg qytetit Gaziantep, tha Shërbimi Gjeologjik amerikan. Po ashtu, gjatë po asaj dite, u regjistrua një tërmet tjetër i fuqishëm prej 7.5 shkallësh të Rihterit.
Por, përpjekjet e shpëtimit janë penguar nga temperaturat e ulëta dhe qindra pasgoditje, të cilat e kanë bërë veçanërisht të rrezikshme punën në strukturat e paqëndrueshme.

Në qytetin sirian të Xhindajrisit, një foshnje e sapolindur u nxor nga rrënojat.

“Ne pastruam pluhurin dhe e gjetëm foshnjën që kishte ende kordonin e kërthizës, e premë atë dhe kushëriri im e mori foshnjën e dërgoi në spital”, tha një familjar i foshnjës së shpëtuar nga rrënojat.

Disa prej dëmeve më të mëdha janë regjistruar në provincën turke të Gaziantepit, ku qindra ndërtesa janë shembur dhe janë bllokuar rrugët, duke penguar përpjekjet e shpëtimit.

Personat që i kanë mbijetuar tërmetit, shumica prej të cilëve nuk kanë këpucë e as rroba të ngrohta, po përballen me mbijetesë në temperatura të ulëta.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, pritet që të vizitojë zonën e prekur nga tërmetet më 8 shkurt.

“Kjo është një prej fatkeqësive më të mëdha në rajonin tonë dhe në botë, jo vetëm në historinë e republikës sonë”, tha ai.