Mbi 3 mijë të vdekur nga aksidentet në trafik për 4 vjet
Për herë të dhjetë, Kosova i bashkohet vendeve të tjera në shënimin e Ditës Botërore të Përkujtimit të viktimave në aksidentet e trafikut rrugor, me ç’rast akademia “Tempulli” ka organizuar një tryezë diskutimi. Numri i aksidenteve në Kosovë krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian, shkaktarët dhe çështje të tjera, ishin…
Lajme
Për herë të dhjetë, Kosova i bashkohet vendeve të tjera në shënimin e Ditës Botërore të Përkujtimit të viktimave në aksidentet e trafikut rrugor, me ç’rast akademia “Tempulli” ka organizuar një tryezë diskutimi.
Numri i aksidenteve në Kosovë krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian, shkaktarët dhe çështje të tjera, ishin ato që u diskutuan nga ekspertë të kësaj fushe.
Aty u tha se numri i aksidenteve në përgjithësi ka shënuar rënie brenda dhjetë muajve të këtij viti, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Drejtori i Akademisë “Tempulli”, Muhamed Krasniqi tha se këtë vit motoja e aktiviteteve është “Atë ditë”. Ai tregoi se për herë të parë këto lloje të aktiviteteve kanë filluar në vitin 2015, derisa prezantoi historikun se çfarë i ka karakterizuar ato.
“Këtë vit, motoja e këtyre aktiviteteve është ‘Atë ditë’. Kjo është Dita Botërore e Përkujtimit të Viktimave në trafikun rrugor. Aktivitete kanë një bazë ligjore edhe në Shtetet e Bashkuara, sepse edhe këto aktivitete zhvillohen në frymën e dekadës së veprimit, në këtë rast të vitit 2020 dhe 2030. Modeli i Kosovës është një model jashtë zakonisht i mirë. Është një model jo i krahasueshëm, i cili merret për bazë nga shtete e rajonit. Të paktën ky është një mendim dhe një mbështetje që na është dhënë nga presidenti i FEVR-it. Këto aktivitete për herë të parë i kemi filluar, edhe pse Policia e Kosovës edhe para vitit 2015 vazhdimisht ka organizuar këto aktivitete, por zyrtarisht për anëtarësimin e AMRKS-së në FEVR, në vitin 2015 kemi filluar zyrtarisht t’i shtrijmë këto aktivitete në Kosovë…Në vitin 2018, në mesin e aktiviteteve të tjera është realizuar një film mbi bazën e stories së atij viti që rrugët kanë histori. Për të vazhduar në vitin 2019 që motoja ka qenë jeta nuk është pjesë e automjetit, që ka qenë një thirrje për kujdesin që duhet të kemi për qenien njerëzore. Në vitin 2023 e kemi aktivitetin që kemi prapë dhurimin e gjakut”, tha Krasniqi.
Drejtori i Divizionit të Trafikut Rrugor në Policinë e Kosovës, Jeton Rexhepi bëri të ditur se në katër vjetët e fundit mbi 3 mijë persona kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve në trafik.
“Deri tani nga viti 1999 ose 2000 në Kosovë kanë humbur jetën 3 mijë e 18 persona në trafik – shifër shumë e lartë. Për periudhën kohore janar-tetor 2024 krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, mund të themi se të gjitha llojet e aksidenteve kanë shënuar rënie. Numri i personave të vdekur shënon rënie për pesë persona më pak sesa periudha e njëjtë. Numri i aksidenteve me persona të lënduar shënon rënie për 1 mijë e 275 persona më pak të lënduar apo 6.79 për qind. Numri i aksidenteve me dëme materiale shënon rënie për 234 raste më pak apo 1.93… Ndërsa, numri i aktiviteteve policore është në rritje 14.23 për qind. Kur flasim për aksidentet në rrugë të hapura ose në rrugë nacionale në autostrada, kemi faktorin njeri qoftë në mos respektimin e kufizimeve të shpejtësisë, mos përshtatja e shpejtësisë së lëvizjes me kushtet e rrugës. Infrastruktura rrugore sidomos në kryeqytet, por dhe në qytetet e mëdha në nivel vendi nuk ofrojnë kushte të mjaftueshme për lëvizjen e numrit të automjeteve brenda një dite”, tha Rexhepi.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit në Departamentin për patentë-shofer në Ministrinë e Mjedisit, Fejzulla Mustafa tha se Kosova qëndron më mirë sa i përket numrit të viktimave nga aksidentet në një milion banorë krahasuar me vendet e Bashkimit Evropian.
“Kosova në raport me vendet e Bashkimit Evropian po e shihni që është e portokalltë dhe kur është e portokalltë, krahasohet shembull konkret me Italinë, me Poloninë, Hungarinë, Çekinë dhe shtete të tjera. Në anën tjetër kurrë nuk jemi të kënaqur. Duhet të jemi lart, te Norvegjia me të gjelbër. Por, kur i shohim vendet e BE-së siç është Rumania, Bullgaria, Greqia, Polonia, janë shumë më keq se Republika e Kosovës. Gjermania ka 34 të vdekur për një milion banorë. Kosova ka 59 të vdekur për një milion banorë. Rumania ka 81”, tha Mustafa.
Profesori në Akademinë “Tempulli”, Mevlan Bixhaku, tha se Kosova qëndron më mirë në krahasim me vendet e Ballkanit Perëndimor sa i përket bilancit të viktimave si pasojë e aksidenteve në trafik.
“Ajo çka është më rëndësishmja se nëse mendimet ose krahasimet tona i mbështesim mbi bazën e të dhënave mjaft kredibile, Kosova në nivel të vendeve të Ballkanit Perëndimor qëndron më së miri. Mirëpo, jo mirë me vendet e BE-së. Përpos qëllimit që ka qenë kjo tryezë përkujtimin e viktimave botërore të aksidenteve me fatalitet, normalisht edhe qëllimi ynë i përbashkët është që nga kjo tryezë përpos paraqitjes së të dhënave, krahasimit të tyre, ta kemi edhe një mundësi nga ana e aspektit të rekomandimeve…Mundohemi t’i japim disa rekomandime me qëllim të përmirësimit të gjendjes”, u shpreh Bixhaku.