Mbi 273 mijë euro ishte borgji i partive ndaj PZAP ditë më parë për shkeljet gjatë fushatës, VV së fundi u gjobit me 39 mijë 500 euro
Fushata elektorale që po zhvillohet tash e disa javë është gati në përfundim. Saktësisht anë mbetur edhe 10 ditë nga fushata zgjedhore, pasi më 9 shkurt veçse do të zhvillohen zgjedhjet nacionale në vendin tonë. E përgjatë kësaj fushate shumë prej kandidatëve partiak, por edhe vetë liderët e partive në disa raste kanë bërë shkelje…
Lajme
Fushata elektorale që po zhvillohet tash e disa javë është gati në përfundim.
Saktësisht anë mbetur edhe 10 ditë nga fushata zgjedhore, pasi më 9 shkurt veçse do të zhvillohen zgjedhjet nacionale në vendin tonë.
E përgjatë kësaj fushate shumë prej kandidatëve partiak, por edhe vetë liderët e partive në disa raste kanë bërë shkelje të kodit të paraparë për fushatë.
Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ditë më parë në një përgjigje të dhënë për lajmi.net ka njoftuar se deri më datën 26 totali i gjobave të shqiptuara ndaj partive politike në vend ishte 273 mijë e 400 euro.
“Lidhur me pyetjen e juaj, PZAP ju njofton se deri me datën 26.01.2025, totali i gjobave të shqiptuara ndaj Subjekteve Politike për procesin zgjedhor për Zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës që do të mbahen me 09.02.2025 është 273,400.00 euro.”
Kurse Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa në vendimet e së mërkurës ka gjobitur Lëvizjen Vetëvendosje me 39.500 euro dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës me 9.500 euro për shkak të shkeljes së Kodit të Mirësjelljes gjatë fushatës zgjedhore.
Lëvizjes Vetëvendosje gjobë më të madh i është shqiptuar për shkak të deklaratave të ministres së Jashtme, Donika Gërvalla, gjatë tubimit në Deçan, e cila e quajti Ramush Haradinajn “gjeneral të vetshpallur”. Për këtë PZAP-ja i shqiptoi gjobë LVV-së 10 mijë euro.
LVV-ja, me 5 mijë e 500 euro u gjobit për shkak të një postimi në Facebook të këshilltarit të kryetarit të Kuvendit, Feim Tahirsylaj, i cili kishte shkruar se “fitorja e opozitës do të ishte fitore vendimtare për Serbinë gjenocidale”. Me shumë të njëjtë, ky subjekt politik u gjobit edhe për një postim të kandidatit për deputet, Haxhi Avdyli, i cili, sipas PZAP-së, ka përdorur gjuhë urrejtëse dhe nxitëse kundrejt partive kundërshtare.
Gjithashtu, LVV-ja është gjobitur me tetë mijë euro për shkak që akterë të partisë penguan gazetarët në kryerjen e punës gjatë tubimit në Malishevë dhe Mitrovicë. PZAP-ja, në vendim thekson se gjatë pengimit kanë përdorur edhe gjuhë që nxit dhunën ndaj gazetarëve.
Gjithashtu me 5 mijë e 500 euro, LVV-ja u gjobit edhe për deklaratat e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Ajo në një tubim në Viti pati deklaruar se “kundërshtarët tanë janë bërë bashkë, pra klanet e krimit dhe korrupsionit janë bërë bashkë”. Me 5 mijë euro, LVV-ja u gjobit për shkak të pjesëmarrjes së fëmijëve në tubimet zgjedhore.
Të gjitha këto gjoba të shqiptuara së fundi veçse kanë ngritur edhe më tepër shifrën e borgjeve që këto parti politike i detyrohen t’ia paguajnë PZAP-së.
Gjobat parashihet që të paguhen brenda 15 ditëve.
Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës është gjobitur me 5 mijë e 500 euro për shkak të vendosjes së posterave në hapësira publike dhe në stacion të Trafikut Urban në Prishtinë. Për të njëjtën arsye, u dënua edhe katër mijë euro për vendosjen e posterave në rrugë publike në Pejë.
Prej fillimit të fushatës PZAP-ja në vazhdimësi ka gjobitur partitë politike për shkelje të ndryshme.
Në këtë fushatë elektorale pati deklarime të ashpra, ofendime e shpesh herë deklarime jashtë politikës e që nuk përkonin aspak me prezantime elektorale./Lajmi.net/