“Mbi 26 mijë euro u mblodhën në shesh, duke prezantuar dokumentacion të falsifikuar nga spitali në Turqi” – Detaje nga dosja e Prokurorisë së Endrit Azemit
Endrit Azemi është arrestuar dje në Gjilan, pasi dyshohet se ka mashtruar qytetarët duke kërkuar ndihmë financiare nga ata pasi vuante nga leukemia. Insajderi ka siguruar dosjen e Prokurorisë Themelore në Gjilan, përmes së cilës janë zbardhur detaje se si Endrit Azemi dyshohet se mashtroi qytetarët, duke pretenduar se vuante nga leukemia akute dhe duke…
Lajme
Endrit Azemi është arrestuar dje në Gjilan, pasi dyshohet se ka mashtruar qytetarët duke kërkuar ndihmë financiare nga ata pasi vuante nga leukemia.
Insajderi ka siguruar dosjen e Prokurorisë Themelore në Gjilan, përmes së cilës janë zbardhur detaje se si Endrit Azemi dyshohet se mashtroi qytetarët, duke pretenduar se vuante nga leukemia akute dhe duke mbledhur afro 190 mijë euro në emër të trajtimit të sëmundjes.
Sipas kërkesës së Prokurorisë së Gjilanit për caktimin e masës së paraburgimit, Azemi dyshohet se e kishte sajuar historinë e sëmundjes, duke pretenduar se ishte diagnostikuar me leukemi akute dhe se kishte nevojë për trajtim jashtë vendit.
Për ta bërë më të besueshme këtë histori, ai dyshohet se kishte prezantuar edhe dokumentacion të falsifikuar, që pretendohej se ishte lëshuar nga spitali “Acibadem Altunizade” në Stamboll të Turqisë.
Me arsyetimin se duhej t’i nënshtrohej trajtimit për sëmundjen, Azemi dyshohet se kishte nisur mbledhjen e donacioneve përmes platformës “GoFundMe”, ndërsa në këtë aktivitet ishin përfshirë edhe familjarë dhe persona të ndryshëm në qytetin e Gjilanit.
Nga donacionet e mbledhura përmes platformës online, sipas dosjes së Prokurorisë, ishin grumbulluar 165 mijë e 522 euro.
Ndërkaq, përmes aktiviteteve për mbledhjen e parave në qytetin e Gjilanit ishin grumbulluar edhe 26 mijë e 684 euro e 80 centë.
Në total, shuma e mbledhur arrin në 189 mijë e 206 euro e 80 centë.
Prokuroria pretendon se përmes këtyre veprimeve, Azemi u kishte shkaktuar dëm material qytetarëve të ndryshëm, duke krijuar njëkohësisht dobi pasurore për vete.
Për këto veprime, ai dyshohet se ka kryer veprën penale “Mashtrimi”, nga neni 323, paragrafi 4, lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Këto pretendime janë paraqitur në kërkesën e Prokurorisë Themelore në Gjilan për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.