Mbi 20 zyrtarë në MASHT mbajnë kundërligjshëm pozitat si ushtrues detyre
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), ka bërë të ditur se ka evidentuar shkelje serioze të ligjit në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), ku sipas raportit është konstatuar se 22 pozita në këtë institucion po mbulohen me ushtrues detyre përtej afateve të lejuara ligjore. “Në kuadër të MASHTI-it, janë 22 pozita që mbulohen…

Lajme
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), ka bërë të ditur se ka evidentuar shkelje serioze të ligjit në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), ku sipas raportit është konstatuar se 22 pozita në këtë institucion po mbulohen me ushtrues detyre përtej afateve të lejuara ligjore.
“Në kuadër të MASHTI-it, janë 22 pozita që mbulohen me ushtrues detyre/zëvendësues për një periudhë më të gjatë se periudha e lejuar me ligj”, thuhet në raportin e auditorit.
Sipas këtij raporti nga ZKA, pozitat e mbuluara të cilat kanë një periudhë prej dy muaj deri në gjashtë vjet po funksionojnë duke shkelur ligjin konkretisht, neni 35 të Ligjit Nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publikë, i cili e kufizon mandatin e ushtruesit të detyrës në maksimumi 12 muaj.
Nga 22 pozita të cilat mbahen kundëligjshëm duke u mbuluar me ushtrues detyre, 19 prej tyre janë pozita në administratën e MASHTI-it, me tejkalime nga 2 muaj deri në 5 vite.
Derisa tri pozita të tjera në Inspektoratin e Arsimit, Universitetin “Haxhi Zeka” dhe Agjencionin për Arsim dhe Aftësim Profesional, me tejkalime nga 1 muaj deri në 6 vite.
Po ashtu në raportin e ZKA-së, thuhet se mbulimi i pozitave të rëndësishme me ushtrues detyre për një kohë të gjatë se periudha e lejuar, krijon pasiguri në vendimmarrje dhe përgjegjësitë e funksioneve kyçe.
“Mbulimi i pozitave të rëndësishme me ushtrues detyre për një kohë të gjatë se periudha e lejuar, krijon pasiguri në vendimmarrje dhe përgjegjësitë e funksioneve kyçe. Njëherit, është në kundërshtim me kërkesat ligjore si dhe ndikon negativisht në efektivitetin e administratës dhe institucioneve vartëse”, theksohet në raportin e ZKA. /Lajmi.net/