Mbi 100 mijë euro u shpenzuan nga Ministria e Shëndetësisë për 4 vite- veç në reprezentacion u dhanë mbi 36 mijë euro
Derivate, udhëtime zyrtare e për reprezentacion janë disa nga shpenzimet më të larta të cilat i bëjnë krerët e shtetit, drejtuesit e ministrive e bashkëpunëtorët e tyre, apo së paku në gjëra të tilla i deklarojnë. Ministria e Shëndetësisë e udhëhequr nga ministri Arben Vitia, saktësisht vetëm kabineti i Ministrit ka shpenzuar më shumë se…

Lajme
Derivate, udhëtime zyrtare e për reprezentacion janë disa nga shpenzimet më të larta të cilat i bëjnë krerët e shtetit, drejtuesit e ministrive e bashkëpunëtorët e tyre, apo së paku në gjëra të tilla i deklarojnë.
Ministria e Shëndetësisë e udhëhequr nga ministri Arben Vitia, saktësisht vetëm kabineti i Ministrit ka shpenzuar më shumë se 50 mijë euro në derivate, apo gjithsej 50 mijë e 869 euro.
Viti i cili i kushtoi më së shumti buxhetit të Kosovës për derivate nga Ministria e Shëndetësisë ishte viti 2021 kur udhëhiqej nga Rifat Latifi, me plot 12 mijë e 566 euro.
Pak nuk i kanë kushtuar buxhetit të Kosovës as udhëtimet jashtë vendit të kabinetit dhe zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë, duke përfshirë këtu vetëm paratë për akomodimet e tyre, para xhepi, dhe shpenzime të tjera.
Më shumë se 25 mijë euro, apo 25 mijë e 657 euro ka qenë shuma e shpenzuar nga viti 2022-2024 për udhëtime jashtë vendit.
Viti me shpenzimet më të larta për udhëtime ka qenë viti 2022, kur gjithashtu udhëhiqej nga ministri i atëhershëm Rifat Latifi. Vetëm brenda 2022-tës, stafi i Ministrisë së Shëndetësisë ka shpenzuar më shumë se 12 mijë euro për shpenzime të udhëtimeve.
Pasuesi i tij, Arben Vitia i cili vazhdon të udhëheq me Ministrinë e Shëndetësisë, dhe i gjithë stafi i tij më së shumti kanë shpenzuar në vitin 2023, ku sipas dokumenteve zyrtare janë gjithsej 7 mijë euro.
Që nga viti 2022 deri më 2024, të dhëna të siguruara nga lajmi.net, Ministria e Shëndetësisë, gjatë udhëheqjes së dy ministrave të ndryshëm ka shpenzuar për udhëtime zyrtare në vende të ndryshme rreth 25 mijë e 957 euro.
Viti me më së shumti shpenzime për udhëtime ka qenë 2022-ta me 13 mijë e 224 euro.
Shumë para nga buxheti i shtetit, saktësisht nga paratë e ndara të buxhetit të shtetit për Ministrinë e Shëndetësisë janë shpenzuar edhe për reprezentacion. Gjithsej janë shpenzuar 36 mijë e 49 euro.
Më së shumti para për reprezentacion janë shpenzuar në vitin 2023, ku janë shpenzuar 9 mijë e 773 euro, e vetëm nga ministri Vitia plot 4 mijë e 666 euro.
Ministria e Shëndetësisë gjatë 4 vite e gjysmë udhëheqje nga Lëvizja Vetëvendosje, është udhëhequr nga dy ministra të ndryshëm. Rifat Latifi gjatë vitit 2021 dhe deri në tetor të 2022-tës, pasi i njëjti dha dorëheqje.
Ministria e Shëndetësisë tash udhëhiqet nga ministri në detyrë, Arben Vitia i cili në të njëjtën kohë është edhe deputet i legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës. /Lajmi.net/