Mbështetja Gjermane

Presidenti i Gjermanisë, Joachim Gauck, në takim me Presidenten Atifete Jahjaga, ka thënë se vendi i tij do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në rrugën europiane. Jahjaga ka folur për nevojën e përfshirjes së Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave.

Lajme

24/10/2013 17:17

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, është pritur sot nga Presidenti i Gjermanisë, Joachim Gauck, me nderime të larta ushtarake.

Ata kanë biseduar për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve, procesin e integrimeve europiane për Kosovën dhe rajonin e Europës Juglindore, si dhe për zhvillimet demokratike në vend.

Siç bëhet e ditur nga Presidenca, Jahjaga i ka thënë homologut të saj gjerman se Kosova nuk do një shkurtim të rrugës europiane, sepse ka nevojë për reforma të thella që do të jenë në shërbim dhe në dobi të vetë qytetarëve të Kosovës.

Sipas saj, Kosova sot ka nevojë për përfshirje në procesin e liberalizimit të vizave, sepse ka mbetur vendi i vetëm në rajon që nuk është përfshirë në këtë proces. Kjo çështje, ka deklaruar Presidentja, mbetet shumë e rëndësishme për qytetarët e Kosovës.

Duke folur për normalizimin e stabilizimin e Kosovës dhe të rajonit, Jahjaga ka vlerësuar  dialogun me Serbinë si mënyrën e vetme për të avancuar agjendën europiane të të dyja vendeve dhe për të pambyllur një kapitull të rëndë të historisë.

Sipas saj, marrëveshjet e arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të zbatohen në tërësi dhe se të dyja vendet duhet të monitorohen për zbatim të suksesshëm të marrëveshjes.

“Përmbyllja e konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë, edhe në rrafshin politik, është garanci e vetme se Europa Juglindore do të jetojë në paqe dhe në përqafim të vlerave europiane.”, ka thënë Jahjaga.

Po ashtu, ka theksuar se procesi i dialogut duhet të përmbyllet me nënshkrimin e një traktati me peshë ligjore që do të ishte edhe baza mbi të cilën të dyja vendet do të merrnin përgjegjësitë për anëtarësim individual në BE.

“Vendosja e sundimit të ligjit dhe rendit në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, në veçanti në pjesën veriore të territorit të saj, është me rëndësi të posaçme, sepse do të ndihmonte avancimin e proceseve demokratike në vend.”

“Është i domosdoshëm integrimi i komunitetit serb në jetën shoqërore e institucionale të Kosovës që ata të gëzojnë benefitet që ua garanton Kushtetuta e Kosovës dhe t’i bartin përgjegjësitë si çdo qytetar i Kosovës.”

Presidenti i Gjermanisë, Joachim Gauck, siç njoftohet nga Presidenca e Kosovës, ka vlerësuar marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve si shumë të mira.

Ai ka thënë se Gjermania ka qëndruar përkrah Kosovës në të gjitha periudhat dhe do të vazhdojë ta mbështesë atë në proceset e demokratizimit të vendit dhe në rrugën europiane të Kosovës.

Presidenti Gauck, po ashtu, ka theksuar se perspektiva europiane e Kosovës dhe e gjithë rajonit të Europës Juglindore është e qartë dhe vlerësoi se është e nevojshme përmbushja e standardeve dhe kritereve të përcaktuara.