Mashtronin qytetarët për vende pune në BE, policia arreston dy persona

Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona, pasi që dyshohet se kanë mashtruar qytetarët për vende pune në BE.

Lajme

23/10/2019 16:20

Gjatë ditës së sotme, Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona nën dyshimin se kanë mashtruar qytetarë për viza pune në vendet e Bashkimit Evropian, kështu duke përfituar shuma të mëdha parash.

Sipas policisë bëhet fjalë për 24-vjeçarin me inicialet, A. E., dhe 25-vjeçarin K.G., që të dy shtetas të Kosovës, shkruan lajmi.net.

“Mbështetur në rezultate e para të hetimit është ngritur dyshimi i arsyeshëm se ky mashtrim ka ndodhur në vazhdimësi, për një periudhë  të gjatë kohore dhe dyshohet se numri i personave të mashtruar nga ta arrin mbi 20 qytetarë të ndryshëm”, ka bërë të ditur policia në njoftim.

Policia po ashtu iu ka bërë thirrje qytetarëve që mund të kenë qenë viktimë e rasteve të tilla, të lajmërohen në stacionin më të afërt policor, për ta mundësuar dokumentimin e plotë të veprimeve të kundërligjshme të këtyre personave.

Njoftimi i plotë i Policisë së Kosovës pa ndërhyrje:

Në vazhdën e pandërprerë të punës intensive të strukturave policore të  Drejtorisë Rajonale të Policisë- Prishtinë, me synim dhe në drejtim të përmirësimit në vazhdimësi të parametrave të rendit dhe të sigurisë, duke i dhënë përparësi luftës kundër kriminalitetit  dhe veçanërisht rasteve të fundit të  mashtrimit,  të paraqitura në stacionet policore, strukturat rajonale të hetimit të krimit kanë organizuar punën e tyre në drejtim të kapjes së personave që dyshohet të jenë të përfshirë në rastet në fjalë.

Kësisoj më datat  22 dhe 23 tetor 2109, pas një pune të shkëlqyer hetimore dhe veprimeve të avancuara operative – taktike, në një operacion të gjerë të ndërmarrë nga ana e hetuesve të njësitit të hetimeve të përgjithshme janë arrestuar dy  persona të dyshuar për mashtrim.

Personat e dyshuar;

  • A. E, mashkull, 24 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës dhe
  • K. G, mashkull 25 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës,

dyshohet se kanë marrë nga viktimat (kopje dokumentesh) të dhënat personale , duke u premtuar atyre, se do t’ua  rregullojnë vizat e punës  për vende të Bashkimit Evropian, dhe të njëjtit me të dhënat e tyre kanë aplikuar për kredi (Online), duke përfituar kështu shuma të ndryshme të parave.

Mbështetur në rezultate e para të hetimit është ngritur dyshimi i arsyeshëm se ky mashtrim ka ndodhur në vazhdimësi, për një periudhë  të gjatë kohore dhe dyshohet se numri i personave të mashtruar nga ta arrin mbi 20 qytetarë të ndryshëm.

Andaj marrë në konsideratë këtë fakt, kërkojmë nga qytetarët që mund të kenë qenë viktimë e rasteve të tilla, të lajmërohen në stacionin më të afërt policor, për ta mundësuar dokumentimin e plotë të veprimeve të kundërligjshme të këtyre personave.

Personat e arrestuar janë dërguar në qendrën rajonale të paraburgimit në Prishtinë, ku aktualisht hetuesit po kryejnë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore e procedurale, para se rasti të dërgohet në institucionet kompetente. /Lajmi.net/