Mashtrimi i Vuçiqit në Pasjan, inauguroi spitalin e inauguruar
Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiq e ka inauguruar një spital i cili vite më parë ishte inauguruar nga ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, Sllobodan Petroviq.
Lajme
Bëhet fjalë për spitalin e Pasjanit, aty ku Vuçiqi para dy ditësh e cilësoi Kosovën si “djep të Serbisë”.
Gazeta Tribuna ka siguruar të dhëna që dëshmojnë se për spitalin e Pasjanit ishin ndarë nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, 227.894 euro.
Asokohe kjo ministri drejtohej nga Sllobodan Petroviq.
Pjesën tjetër të mjeteve Qeveria e kishte siguruar nga linja tjera buxhetore. Por nuk kishin munguar as mbështetja nga donatorët ndërkombëtar.
Financimi i Qeverisë në spitalin e Pasjanit konfirmohet edhe në raportet e punës dhe në monitorimet e organizatave joqeveritare që u janë bërë komunave të Kosovës.
Për këtë spital në fund të vitit 2012 kishte folur edhe Nenad Cvetkoviq, në cilësinë e kryetarit të komunës Partesh-Pasjan.
Tribuna, ua sjell vetëm një fragment nga ajo që kishte thënë Cvetkoviq në një paraqitje para medieve.
“Ne tashmë kemi ndërtuar spitalin dhe ky është një rezultat i mirë yni. Mirëpo, kur e formuam komunën dhe u ndamë nga komuna amë e Gjilanit, ne kemi pasur vetëm tetë vende të punës për shëndetësi”, pati thënë ai.