MASHT: Nxënësit s’është mirë të përdoren për përfitime të mësuesve

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT¬), njofton të gjithë nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit, se nesër (e hënë) do të vazhdojë procesi i rregullt mësimor sipas kalendarit shkollor, në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar dhe në të gjitha shkollat e Kosovës.

Lajme

19/04/2015 18:38

Përmes një komunikate për media, MASHT ka kërkuar nga Drejtoritë Komunale, që nesër të zhvillohet procesi mësimor.

“Ftojmë të gjitha Drejtoritë Komunale të Arsimit, që në bashkëpunim me drejtorët e shkollave të Kosovës, me mësimdhënësit dhe prindërit, të kujdesen për vijimin e rregull të mësimit”, thuhet në komunikatë.

Ministria e Arsimit ua rikujton për të gjitha Drejtoritë Komunale të Arsimit, drejtorët e shkollave, mësimdhënësit, prindërit dhe nxënësit, se kanë mbetur pak më shumë se një muaj deri në mbajtjen e Testit të Arritshmërisë, si dhe Provimit Shtetëror të Maturës, rezultatet e të cilave janë shumë të rëndësishme për vazhdimin e shkollimit të lartë, prandaj, interesi i nxënësve është vijimi i rregullt i mësimit.

“Për protesta ka kohë edhe më vonë, kur nxënësit përfundojnë mësimin, madje deri në shtator, kur mund të bisedohet e të gjenden zgjidhje të pajtueshme për kërkesat. Secila ditë e humbur është e pakompenzueshme për nxënësit dhe në secilin vend, në këtë kohë organizohen kurse, vullnetare, falas, për t’i përgatitur ata të dalin më rezultate sa më të mira në teste e provime. Rezultatet e tyre janë edhe rezultate të mësuesve”, thuhet në komunikatën e MASHT-it.

Sipas MASHT, mirëkuptimi dhe respekti për nxënësit dhe prindërit, në këtë fund vit, është mirë të zë vendin ndaj së drejtës për të pasur trajtim dhe të ardhura më të dinjitetshme.

“Humbja e mësimit dhe nxënësit nuk është mirë të përdoren si mjet për përfitime të mësuesve”, thuhet në komunikatën e MASHT-it.

Ministria rikujton gjithashtu se Qeveria e Republikës së Kosovës, javën e kaluar ka marrë vendim për fillimin e pagesës prej 0.5% për përvojën e punës së punëtorëve të arsimit dhe me këtë rast, ka thënë se falënderon Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e tyre.

“Qeveria e Republikës së Kosovës, në të kaluarën ka ngritur pagat e mësimdhënësve dhe ka punuar shumë në përmirësimin e pozitës materiale të mësimdhënëseve. Duke vlerësuar lartë kontributin dhe punën e çmueshme të mësimdhënësve tanë, do të vazhdojmë përpjekjet për avancimin e pozitës së mësimdhënësve, krahas ngritjes së cilësisë dhe rezultateve të mira në sistemin arsimor të Republikës së Kosovës”, thuhet në fund të komunikatës. (lajmi.net)