Marshimi drejt humnerës!

Nëse në vitin 2015 nuk nisë ndryshimi i sistemit ekonomik në vend, për pak vjet do të kemi një fatkeqësi politike dhe sociale të denjë për një termet të madh.

Lajme

29/12/2014 14:27

Kosova, ekonomikisht dhe financiarisht, pak a shumë funksionon në këtë mënyrë. Kështu ka qenë së paku deri tash. Dhe për më keq, kjo nuk pritet të ndryshojë në vitet e ardhshme.

Pra shqiptarët që jetojnë në Perëndim, dërgojnë në Kosovë së paku 600 milionë Euro të vit, para të zyrtarizuara me letra formale, apo përmes agjencive për transfer të parave.

Pa letra, në rrugë të tjera, sikurse edhe gjatë qëndrimit të tyre në pushimet vjetore në Kosovë, ata, shqiptarët që jetojnë në Evropë dhe në Amerikë, dërgojnë apo edhe i harxhojnë së paku edhe aq, pra 600 milionë Euro, apo edhe më shumë.

Tërësisht, kemi të bëjmë me 1.2 miliardë Euro apo mesatarisht 3.3 milionë Euro në ditë, apo mesatarisht 137 mijë Euro në orë, apo më shumë  (le të përsëritet sërish ky konkludim: më shumë), se sa që shteti i Kosovës do të mbledhë sivjet, në vitin 2014 pra, nga Doganat dhe nga Administrata Tatimore e Kosovës  (më së shumti diku 1.17 miliardë Euro do të mblidhen nga Doganat dhe ATK).

Pra, mërgimtarët e Kosovës kontribuojnë më shumë realisht në të hyra në shtetin e Kosovës se sa vetë mekanizmat e krijuara nga autoritetet vendore për ta mbushë arkën e shtetit.

Pritjet e Qeverisë së Kosovës që do të vazhdojë të funksionojë ky kontribut i jashtëzakonshëm i shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit  (me letra janë së paku 500 mijë, por objekvisht ky numër është më i madh), janë shprehur qartë edhe në Ligjin për Buxhetin e Kosovës, i cili u miratua në Kuvendin e Kosovës, të hënën, me 22 dhjetor.

Për më tepër, Qeveria e Kosovës pret që dërgesat në para nga Perëndimi do të rriten në vitet e ardhshme. Në vitin 2017, ato do të duhej të mbërrinin shifrën prej 695 milionë Euro.

Poqëse ky parashikim do të del i vërtetë, natyrisht edhe më shumë para shqiptarët do të dërgojnë në format e tjera, prandaj sërish në vitin 2017, shteti “i mërguar” i Kosovës  (nëse kështu mund të quhet tërësia e shqiptarëve të Kosovës që jetojnë në Perëndim), do të jetë më i fuqishëm se shteti i Kosovës këtupari, sa i përket të hyrave doganore dhe tatimore.

Paratë që vijnë nga Perëndimi apo që importohen nga andej, shërbejnë po ashtu edhe për importin e mallrave të të gjitha llojeve nga rajoni dhe më gjerë. Ndodhë tregtia e madhe. E importi shërben në radhë të parë për ta mbushur arkën e shtetit nga të hyrat direkte doganore, që sivjet ta zëmë, do të gravitojnë kah shifra prej 900 milionë Eurosh.

Qeveria e shtetit është në anën tjetër, punëdhënësi më i madh në vend me gati 90 mijë të punësuar në sektorin publik. Rroga mesatare në këtë sektor llogaritet të jetë së paku dy herë më e madhe se sa në atë privat, ndërsa kudo në Botë ku ndodhë zhvillimi ekonomik, sektori privat prinë me të gjithat, apo ai është fuqi lëvizëse e rritjes ekonomike, e cila sjell më shumë punë, më shumë para, më shumë stabilitet dhe qëndrueshmëri në një vend, ulje të papunësisë, ulje të pakënaqësisë sociale.

Qeveria e Kosovës do të ndajë vit për vit, tash e tutje, mbi 550 milionë Euro për rroga në sektorin publik, sipas Ligjit për Buxhetin e Kosovës. Ama, rritje më nuk do të ketë.

Qeveria e Kosovës që prej vitit 2010 e këndej, ka harxhuar mbi 1.1 miliardë Euro në ndërtimin e auto-udhëve kah Shqipëria dhe kah Maqedonia. Para të buxhetit. Jo të kredive apo huave. Diç e tillë është dukuri tepër e rrallë, kudo në botën demokratike.

Nuk është investuar fare në sektorin e energjisë, aty ku Kosova ka një perspektivë të madhe dhe fare pak ka ndryshuar qasja në bujqësi, ku poashtu sipas analizave ndërkombëtare ka mundësi të ketë zhvillim ekonomik, zvogëlim të papunësisë dhe ulje të varfërisë.

Derisa mund të debatohet gjerë e gjatë se cili do të duhej të ishte emri i këtij sistemi ekonomik në Kosovë, të krijuar bashkërisht me gabimet dhe dështimet vendore dhe ndërkombëtare, një gjë dihet fare qartë prej të gjithë atyre që sado pak marrin vesh në trendet ekonomike: Ky sistem i ka vitet e numëruara. Që do të thotë, nëse në vitin 2015 nuk nisë ndryshimi i tij, pas disa viteve do të kemi një fatkeqësi politike, ekonomike dhe sociale të denjë për një termet të madh.

Me politikën e dy D-vë  (Dogana dhe Diaspora), si burim kryesor të parasë në Kosovë, me Qeverinë si punëdhënës më të madh dhe si një garantues të paqes sociale, nuk mund të ecet tutje. Apo, mund të ecet në një drejtim: Në humnerë!

(Autori është Nënkryetar i AAK-së dhe kolumnist i rregullt i lajmi.net)