Marrëveshja nuk është përmbushur ende
Washingtoni kërkon nga Prishtina e Beogradi të angazhohen në këtë fazë “të veçantë dhe të rëndësishme” të dialogut. Jonathan Moor thotë se kushtet e marrëveshjes duhet të përmbushen patjetër.
Lajme
Drejtori i Zyrës së Departamentit Amerikan të Shtetit për Europën Jugore dhe Qendrore, Jonatan Moore ka deklaruar në një intervistë për agjencinë serbe të lajmeve “Tanjug”, se duhet të përmbushen të gjitha kushtet e Marrëveshjes së Brukselit dhe ka shfaqur shpresën se Beogradi e Prishtina deri në fund të javës do të gjejnë zgjidhje edhe për çështjet tjera të hapura.
”Kjo është fazë e veçantë dhe e rëndësishme e dialogut”, ka theksuar Moore i cili ka rikujtuar se ka asistuar në bisedimet e 5 dhjetorit, në Bruksel.
Jonatan Moore ka theksuar se SHBA e mbështesin Serbinë por për atë e kanë mesazhin e njëjtë si edhe Bashkimi Europian (BE): duhet patjetër të përmbushen të gjitha kushtet e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit e Prishtinës.
“Ju them hapur, unë kam qenë në Bruksel dhe është e qartë se nuk janë përmbushur të gjitha kushtet”, ka thënë diplomati amerikan duke shtuar se tek duhet të zgjidhen tema të ndryshme.
“Të dy delegacionet lypset të bisedojnë, bie fjala, për gjyqësinë, për atë çka do të bëhet me gjykatën në veri të Kosovës, kjo është një nga temat kryesore”, ka thënë Moore. Ai ka thënë se në Bruksel, më 13 dhjetor, do të mbahet takimi i ri i kryeministrave të Serbisë, Ivica Daçiq dhe të Kosovës, Hashim Thaçi, ku do të marrin pjesë edhe SHBA.
”Shpresojmë se e gjithë puna do të përfundojë deri më 13 dhjetor se edhe Serbia edhe Kosova do të marrinë vlerësime pozitive nga Këshilli Europian në dhjetor”, ka thënë funksionari i Departamentit të Shtetit.
Duke folur për zgjedhjet lokale në Kosovë, Mur ka thënë se autorizimet e Bashkësisë së komunave serbe (BKS) do të jenë në harmoni me ligjet e Kosovës dhe BKS nuk do të jetë “njëfarë organizate e thjeshtë joqeveritare”, por as trup shtetëror dhe nuk do të ketë kurrfarë roli ndërkombëtar, por është diç në përputhje me ligjin”, dhe kjo është në harmoni me Marrëveshjen e Brukselit.
Ai ka sqaruar se autorizimet do të jenë “praktike” sikurse i kanë edhe autoritetet lokale në Amerikë, në Serbi dhe tjetër kund, në fushën e arsimit, mbrojtjes shëndetësore dhe çështjeve tjera konkrete lokale.
Ai ka thënë se lidhur me këtë ka biseduar në Prishtinë me kryetarin e Listës ”Srpska”, Vladeta Kostic dhe ka vlerësuar se në Kosovë veç është e qartë se çfarë do të jenë autorizimet e BKS, e nëse ka ndonjë çështje rreth asaj mund të arrihet marrëveshja.
I pyetur kur i pret rezultatet e hetimeve mbi tregtimin me organet e trupave të njerëzve në Kosovë, që po i zhvillon ekipi për krime të luftës në ballë me amerikanin, Clint Williamson, Moore ka shfaqur shpresën se rezultatet do të dihen deri në qershor të vitit 2014, kur, siç ka rikujtuar, skadon afati prej 15 vitesh për hetimet e krimeve eventuale.
Duke folur mbi raportet mes Serbisë dhe SHBA, Mur ka vlerësuar se ato janë në fazë të shkëlqyeshme, ndonëse akoma ka disa çështje të hapura sikurse është sulmi në ish godinën e ambasadës (shkurt 2008) dhe rasti i vëllezërve Bytyçi, shtetas amerikan të varë më 1999.
“Një vëlla i cili edhe më tutje jeton në New York, Fatoni, para do kohe ka qenë në Beograd dhe ka pasur takime në nivel të lartë në qeverinë serbe. Ky është një hap përpara por megjithatë shpresojmë se do të arrihet ndonjë proces i vërtetë gjyqësor”, ka deklaruar ai.
Moore, para Beogradit, e ka vizituar Prishtinën dhe Tiranën pas Brukselit ku më 5 dhjetor ka asistuar në dialogun Daçiq-Thaçi. Ai në Beograd pritet të takohet sonte me kryeministrin serb, Ivica Daçiq kur temë do të jetë vazhdimi i dialogut më 13 dhjetor në Bruksel.