Marrëveshja me Iranin, ja garancitë e Obama-s

Marrëveshja e arritur për programin bërthamor të Iranit u përshëndet nga të gjitha palët. Në Iran, si Presidenti Rouhani, ashtu edhe ministri i Jashtëm, Javad Zarif thanë se ujdia e arritur “nuk ishte e përkryer për askënd, por ishte më e mira e mundshme”.

Bota

14/07/2015 18:38

Por çfarë përmban kjo marrëveshje? Siguria e Presidentit Obama, që Teherani nuk do të përdorë programin e tij bërthamor për qëllime ushtarake bazohet në katër pika.

Së pari, Irani zotohet të nxjerrë jashtë funksionimit 2/3 e centrifugave të pasurimit të uraniumit dhe t’i vendosë ato nëpër depo magazinimi nën mbikëqyrjen e përhershme ndërkombëtare.

Së dyti, Teherani duhet të shkatërrojë 98 për qind të uraniumit që ka pasuruar ndër vite

Së treti, Teherani është i vetëdijshëm se në rast të shkeljes së një pike të marrëveshjes sanksionet rikthehen menjëherë.

Së katërti, Irani u jep akses të përhershëm Inspektorëve të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore, të cilët mund të inspektojnë kur dhe ku të duan, pa asnjë pengesë.

Sa u takon sanksioneve, Presidenti Obama tha se heqja e tyre do të bëhet gradualisht. Ajo e armëve do të mbetet në fuqi edhe për pesë vjet, ndërsa e raketave edhe për 8 vjet të tjera.

Ndarazi me marravëshjen e nënshkruar me fuqitë e mëdha, Irani nënshkroi edhe një memorandum bashkëpunimi në Vjenë me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore. / Top Channel