“Marrëveshja Kosovë, Shqipëri, Kroaci për mbrojtjen”, Abrazhda: Ta mbështesin Kosovën në rrugën e integrimit në NATO
Shqipëria, Kosova dhe Kroacia dy javë më parë kanë nënshkruar marrëveshje trilaterale në fushën e mbrojtjes. Në lidhje me këtë në një intervistë për RTSH-në ka folur zëvendësministrja e Mbrojtjes në Shqipëri, Blerina Abrazhda. Abrazhda tha se kjo marrëveshje nuk ka vetëm një objekt apo një element, por disa sosh, transmeton Telegrafi. Ajo tha se…

Lajme
Shqipëria, Kosova dhe Kroacia dy javë më parë kanë nënshkruar marrëveshje trilaterale në fushën e mbrojtjes.
Në lidhje me këtë në një intervistë për RTSH-në ka folur zëvendësministrja e Mbrojtjes në Shqipëri, Blerina Abrazhda.
Ajo tha se në aspektin nacional për Shqipërinë dhe Kosovën, elementi më i rëndësishëm është që Kroacia dhe Shqipëria të ndajnë me Kosovën rrugën e integrimit në NATO.
“Ta ndihmojnë dhe ta mbështesin Kosovën në rrugën e integrimit në NATO si e vetmja rrugë bashkëveprimi në trajnime, sjellja e Kosovës në një standard, që janë standarded e NATO-s, përfshirja e Kosovës në këto standarde, në këto trajnime, ndarja e informatave për patrullimet e zonës së Adriatikut në të cilën deri tani nuk është që nuk kemi pasur misione të përbashkëta me Kroacinë në këtë, por Kosova po i shtohet si shtet i regjionit tonë, Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Abrazhda.
Ndryshe, nënshkrimi i kësaj marrëveshje u bë në Shqipëri nga tre ministrat e mbrojtjes, Pirro Vengu, Ejup Maqedonci e Ivan Anushiq.
Kjo marrëveshje do të jetë e shtrirë në katër pika: Promovimi i bashkëpunimit në ngritjen e kapaciteteve të mbrojtjes dhe industrisë së mbrojtjes; Rritja e ndërveprueshmërisë përmes edukimit, trajnimit dhe ushtrimeve; Kundërveprimi ndaj kërcënimeve hibride dhe forcimi i qëndrueshmërisë strategjike dhe Ofrimi i mbështetjes së plotë për integrimin Euro-Atlantik dhe atë të mbrojtjes rajonale.