“Maqedonia e Veriut nuk pritet t’i bashkohet marrëveshjes trelaterale ushtarake”
Nismës rajonale në fushën e mbrojtjes, Kosovë, Shqipëri dhe Kroaci mund t’i bashkohen edhe vendet e tjera të rajonit. Kështu të paktën ka thënë Kroacia e cila lidhi marrëveshje ushtarake me dy shtetet shqiptare. Gatishmëri për t’u bërë pjesë e kësaj nisme ka shprehur Bullgaria. E zëra ka se njëjtë do veprojë edhe Maqedonia e…

Lajme
Nismës rajonale në fushën e mbrojtjes, Kosovë, Shqipëri dhe Kroaci mund t’i bashkohen edhe vendet e tjera të rajonit.
Kështu të paktën ka thënë Kroacia e cila lidhi marrëveshje ushtarake me dy shtetet shqiptare.
Gatishmëri për t’u bërë pjesë e kësaj nisme ka shprehur Bullgaria.
E zëra ka se njëjtë do veprojë edhe Maqedonia e Veriut.
Por, Selim Ibrahimi, njohës i zhvillimeve ushtarake nga ky shtet tha për Tëvë1 se nuk pritet që Maqedonia me qeverinë aktuale siç e quajti ai, të afërt me Serbinë, t’i bashkohet kësaj aleance.
“Marrëdhënia e treshes ushtarake e përbërë nga Shqipëria, Kroacia dhe Kosova me Maqedoninë e Veriut mbetet e pasigurt, duke i pasur parasysh raportet në rritje të Shkupit me Beogradin nën qeverinë e re. Për të zbutur këto rreziqe dhe për të forcuar paktin, integrimi i Bullgarisë – një lojtar historikisht i rëndësishëm rajonal – mund të kundërbalancojë ndikimin e Serbisë, veçanërisht kur SHBA-të konsiderojnë reduktimin e pranisë së saj të sigurisë në Evropë. Suksesi do të varet nga aftësia e treshes për të thelluar bashkëpunimin, për të siguruar mbështetjen e NATO-s dhe BE-së dhe për të menaxhuar në mënyrë efektive tensionet rajonale”, ka vlerësuar Ibrahimi.
E profesori i kriminalistikës, Fatmir Çollaku mendon ndryshe.
Ai thotë se përveç Maqedonisë e Bullgarisë, mund të bashkohet dhe Turqia, shtete këto që e kanë mirëpritur këtë marrëveshje trilaterale.
“Kësaj nisme pa mëdyshje që do t’i bashkëngjitën disa shtete, është paralajmëruar tashmë edhe publiku e dinë që edhe Bullgaria ka shfaqur interesim, Turqia dhe gatishmëri për të qëndruar mbrapa kësaj marrëveshje të këtyre shteteve për t’i suportuar dhe zhvilluar më tej në kuptimin e një strukture të avancuar dhe të konsoliduar mes këtyre shteteve mike. Prandaj pritet që shumë lehtë që edhe shtetet e tjera të rajonin ato fqinje si Maqedonia t’i bashkëngjiten kësaj nisme dhe të krijohet një aleancë e disa shteteve”, shprehet Çollaku.
Sipas Çollakut, krejt kjo po bëhet pas kërkesave të presidentit amerikan, Donald Trump që Evropa të forcohet më shumë në aspektin ushtarak si dhe në rast të ndonjë sulmi eventual.
“Është iniciativë e rezultuar nga koncepti i paralajmëruar dhe tash fillimi i realizimit të kërkesave të Trump, për ristrukturimin e forcave të armatosura në Evropë dhe më gjerë ndoshta edhe mundësinë e tërheqjes nga NATO që i bije se vetëm vendet e evropiane dhe ato ballkanike duhet të mendojnë për zgjidhje më pragmatike zgjidhje më vetanake në aspektin e organizmit ushtarak për tu mbrojtur nga çfarëdo sulmi që mund të vije” , thotë ai.
Kosova, Shqipëria dhe Kroacia nënshkruan deklaratën e përbashkët të aleancës ushtarake në Tiranë, nga ku ministrat e mbrojtjes thanë se kjo nuk është kërcënim për asnjë vend.