Maqedoni: Përfundon takimi i grupit të punës, përparim për listën zgjedhore
Përfaqësuesit e partive politike kanë përafruar qëndrimet rreth modalitetit për krijimin e listës zgjedhore dhe përbërjen e KSHZ-së, por ende mungon një marrëveshje përfundimtare. Kështu thonë burimet e televizionit Alsat M nga grupi i punës, të cilët shprehen optimistë se deri në fund të javës mund të arrihet marrëveshje për këto dy çështje.

Lajme
Siç dihet tashmë prej kohësh, propozim i LSDM-së është që lista të krijohet me regjistrim aktiv paraprakisht nga personat me të drejtë vote. Kjo mënyrë u propozua edhe nga organizatat monitoruese të zgjedhjeve “MOST” dhe “Civil”. VMRO është kundër këtij propozimi të LSDM dhe kërkon mënyra tjera për azhurimin e listës. BDI nga ana tjetër e vlerëson si shumë të dëmshëm për shqiptarët pasi sipas tyre shumë shqiptarë do të ngelin jashtë listës zgjedhore, raporton Alsat M.
BDI propozon votim me shenja gishtash që sipas tyre do të eliminojë keqpërdorimet zgjedhore.
Partitë nuk mund të gjejnë gjuhë të përbashkët edhe për menaxhuesin e listës zgjedhore. Opozita kërkon lista të menaxhohet nga KSHZ-ja, ndërsa pushteti kërkon që edhe më tej kompetencat mbi listën zgjedhore ti mbajë MPB-ja.
Në takimin e sotëm është hapur edhe çështja e votimit të diasporës, por nuk është arritur asnjë përafrim qëndrimesh rreth asaj çështjeje. VMRO DPMNE-ja vazhdon të refuzojë propozimet e LSDM-së dhe BDI-së për rritjen e cenzusit për mandat në diasporë, respektivisht heqjen e 3 deputetëve të diasporës.
Grupi i punës do të vazhdojë takimet nesër, por me diskutime rreth prokurorit special dhe me ndërmjetësimin e ekspertit Xhejms Hamilton. Alsat mëson nga burime diplomatike se nëse nuk ka kompromis për prokurorin special deri më 14 shtator, do të vijojë vendim arbitrar nga përfaqësuesit e diplomacive amerikane dhe evropiane.