Maqedonci: FSK vazhdon të armatoset, trajnimet e fundit janë elementë kyç në zhvillimin e aftësive luftarake për mbrojtjen e territorit

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci ka folur për trajnimet e ditëve të fundit të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ai ka thënë se qëllimi i këtyre trajnimeve është ngritja e kapaciteteve dhe validimi i këmbësorisë që është ndër hapat më të rëndësishëm drejt përmbylljes me sukses të fazës së dytë të tranzicionit, shkruan…

Lajme

29/06/2024 14:52

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci ka folur për trajnimet e ditëve të fundit të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Ai ka thënë se qëllimi i këtyre trajnimeve është ngritja e kapaciteteve dhe validimi i këmbësorisë që është ndër hapat më të rëndësishëm drejt përmbylljes me sukses të fazës së dytë të tranzicionit, shkruan lajmi.net.

Tutje ministri Maqedonci ka theksuar se FSK-ja vazhdon të pajiset me sisteme të ndryshme të armatimit.

Postimi i plotë:

Edukimi dhe trajnimi, krahas furnizimeve me sisteme armatimi janë elementë kyç në zhvillimin e aftësive luftarake për mbrojtjen e territorit.

Më qëllim arritjen e objektivave të planifikuara në kuadër të Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit, për të përgatitur njësitë që të jenë të afta për të ekzekutuar njërën nga tre detyrat kyçe, mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit tonë, Forca e Sigurisë së Kosovës këto ditë ka përmbyllur një varg aktivitetesh trajnuese.

Në kuadër të Ushtrimit Fushor “Steel Wolf” në Regjimentin e Dytë të Forcave Tokësore janë validuar dy kompani të këtij Regjimenti. Validimi i kapaciteteve të këmbësorisë është ndër hapat më të rëndësishëm drejt përmbylljes me sukses të fazës së dytë të tranzicionit.

Me qëllim familjarizimin dhe trajnimin me sisteme që tashmë i kemi pjesë të inventarit të FSK-së, njësitet e FSK-së të mbështetura nga instruktorët e ushtrisë turke kanë zhvilluar trajnimin për sistemin individual anti-tank HAR 66.

Ndërsa në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes me një ceremoni të përbashkët  kanë përfunduar tri kurse të planifikuara: Kursi i Avancuar për Lider, realizuar në shkollën e nënoficerëve, ku kursantët u trajnuan në zhvillimin dhe ngritjen e lidershipit dhe Kursi Bazë për Nënoficer të Këmbësorisë dhe Kursi Bazë për Snajper që u zhvilluan në Qendrën e Stërvitjes Profesionale, të dy këto kurse të fushës së këmbësorisë që kanë për qëllim përgatitjen dhe klasifikimin profesional të pjesëtarëve në fusha të specializuara ushtarake.

Ushtria jonë po ndërtohet si një forcë kompatibile me NATO-n, e aftë dhe e gatshme për kryer detyrat në kuadër të misionit të saj. /Lajmi.net/