Manipulim me vota- Vazhdon intervistimi i personave të dyshimtë në Gjilan

Është duke vazhduar intervistimi i disa personave në Gjilan, në lidhje me manipulimet që dyshohet se u bën në kuadër të zgjedhjeve nacionale por në Komunën e Vitisë. Intervistimi po bëhet pikërisht për hetimet në kuadër të manipulimit të rezultateve të zgjedhjeve për kandidatët për deputetë. Ndonëse raportohet për intervistimin e të paktën 65 komisionerë…

Lajme

03/02/2026 12:53

Është duke vazhduar intervistimi i disa personave në Gjilan, në lidhje me manipulimet që dyshohet se u bën në kuadër të zgjedhjeve nacionale por në Komunën e Vitisë.

Intervistimi po bëhet pikërisht për hetimet në kuadër të manipulimit të rezultateve të zgjedhjeve për kandidatët për deputetë.

Ndonëse raportohet për intervistimin e të paktën 65 komisionerë nga komuna e Vitisë, megjithatë, zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani nuk ka dhënë asnjë numër,.

“Jemi në proces të intervistimit në koordinim me prokurorin e shtetit të personave të dyshimtë të qendrës komunale të votimit në Viti, lidhur me veprën penale ‘Falsifikim i rezultateve të votimit’. Për ecurinë e hetimit të këtyre rasteve do të ju njoftojmë me kohë“, deklaroi ai.

Ndërsa Kryeprokurori i Gjilanit, Arben Kadriu.

Ai ka bërë të ditur për lajmi.net se organet e drejtësisë janë duke vepruar në kuadër të hetimeve dhe se tashmë janë ndërmarrë veprime konkrete hetimore, përfshirë intervistimin e personave të dyshuar për këtë çështje.

“Kanë filluar intervistat lidhur me manipulimet e rezultateve zgjedhore në regjionin e Gjilanit”, tha ai.

Për disa zyrtarë shtetërorë zgjedhjet e dhjetorit janë cilësuar si ndër proceset më të “kompromentuara”, pasi u vërejtën mospërputhje të mëdha të votave të kandidatëve për deputetë pas një rinumërimi të pjesshëm të urdhëruar nga Komisionit Qendror i Zgjedhjeve. Kjo shtyu komisionin që të urdhëronte rinumërim të plotë të votave të rregullta, ndonëse tha se votat për parti nuk janë cenuar.

Rinumërimi ka përfunduar gjatë fundjavës që shkoi dhe KQZ-ja ka shpallur rezultatet përfundimtare.

Për shkak të dyshimeve për manipulim të votave, dhjetëra persona janë ndaluar dhe qindra të tjerë janë intervistuar në shumë rajone të Kosovës. Po më 2 shkurt, autoritetet nisën hetime në Podujevë, pas dyshimeve për manipulim të votave të kandidatëve për deputetë.

Koordinatorja nacionale për zgjedhje në Kosovë, prokurorja e shtetit, Laura Pula, ka paralajmëruar se edhe kandidatët për deputetë që u ishin shtuar votat do të jenë objekt i hetimeve, ndonëse deri më tani nuk është bërë e ditur nëse ndonjë prej tyre është ftuar për intervistë në prokurori.

Lëvizja Vetëvendosje është fituesja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, duke marrë 51.10 për qind të votave dhe do të ketë 57 deputetë në Kuvendin e ri të Kosovës.

Partia Demokratike e Kosovës ka fituar 20.19 për qind të votave, apo 22 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar 13.24 për qind dhe do të ketë 15 deputetë, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, 5.50 për qind të votave apo gjashtë deputetë.

Nga ulëset e rezervuara për minoritetin serb, nëntë ulëse i ka fituar Lista Serbe dhe një ulëse, Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.

Pas shpalljes së rezultatit përfundimtar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa janë dërguar shtatë ankesa. Duhet pritur që ky panel, dhe më pas edhe Gjykata Supreme – nëse dikush e dërgon vendimin e PZAP-it te ky institucion – të shqyrtojnë ankesat e kandidatëve apo partive në mënyrë që të hapet rruga për certifikimin e rezultateve.

Dhe vetëm pas certifikimit, mundësohet formimi i institucioneve të reja.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti me partinë e tij, Lëvizjen Vetëvendosje pritet ta formojë pa probleme Qeverinë e re.

Megjithatë, ai e ka pranuar vetë se do të duhet të krijohet një raport i ri mes pushtetit dhe opozitës për çështje tjera madhore, siç është ajo e pozitës së presidentit apo miratimi i marrëveshjeve ndërkombëtare./Lajmi.net/