Mandatari i Trumpit për dialogun Kosovë – Serbi takon liderët në Kosovë, sjellë kërkesat e SHBA-ve

I dërguari i posaçëm i presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump për bisedimet Kosovë – Serbi, Richard Grenell, qëndroi sot në Prishtinë, ku fillimisht është u prit nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Lajme

09/10/2019 23:20

Pas këtij takimi, ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett tha se Grenell pret bashkëpunim me presidentin Thaçi dhe politikanët në Kosovë në lidhje me dialogun Kosovë – Serbi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi përmes një komuniate ka njoftuar se takimi ishte i fokusuar mbi marrëveshjen e mundshme midis Kosovës dhe Serbisë.

Sipas komunikatës, theksohet se ambasadori Grenell ka thënë se shpreson tek Kosova dhe Serbia të takohen së shpejti dhe të gjejnë një zgjidhje.

Ndërkaq, presidenti Thaçi ka thënë se Republika e Kosovës do të jetë konstruktive në gjetjen e një zgjedhjeje, e cila do t’i hapë rrugë zhvillimit dhe ka shtuar se “pjesëmarrja aktive e SHBA-së në gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të jetë përcaktuese”.

Përveç presidentit Thaçi, me ambasadorin Grenell është takuar edhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i cili ka thënë se është uruar nga Grenell për vendin e parë në zgjedhje.

Në komunikatën e lëshuar nga Vetëvendosje thuhet se Kurti dhe Grenell janë pajtuar që Kosova ka nevojë për zhvillim ekonomik dhe investime të huaja.

Kurti për çështjen e dialogut është shprehur se përmbajtja dhe procesi i marrëveshjes janë më të rëndësishme, për qëndrueshmërinë e saj sesa afati kohor se kur do të arrihet ajo”.

Ambasadori Grenell është takuar edhe me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli dhe përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës, por nuk ka pasur detaje rreth këtyre takimeve.

Richard Grenell gjithashtu vlen të theksohet se është mirëpritur nga politikanët në Kosovë si i emëruar i posaçëm i SHBA-ve për dialogun me Serbinë, ndërsa në Serbi nuk është duartrokitur.

Sot gjatë ditës, Grenell është takuar edhe me Përfaqësuesin e Lartë të Departamentit të Shtetit të SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor dhe përfaqësues të qeverisë së Gjermanisë, për të dëshmuar bashkëpunimin në zgjidhjen e problemit midis Kosovës dhe Serbisë.

Ndërkohë, sonte gazeta online britanike “Bloomberg”, duke iu referuar burimeve të tyre të afërta me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, kanë raportuar se Grenell ka mandat të plotë nga presidenti i SHBA-ve, Donald Trump për të arritur një marrëveshje të shpejtë Kosovë – Serbi.

Njohësit e çështjeve politike në Kosovë dhe analistë të huaj kanë vlerësuar se angazhimi i Matthew Palmer dhe Richard Grenell në çështjen e marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë tregon për çasjen serioze të SHBA-ve në Ballkan.

Shumë prej tyre kanë vlerësuar se ardhja në këtë pjesë të Evropës e dy nga njerëzve më të besuar të presidentit të SHBA-ve, Donald Trump nënkupton pamundësimin e përzierjes së Rusisë në çështjet e hapura dhe të pambyllura të Ballkanit. /Lajmi.net/