Man City ndalet nga Southampton, Arsenal fiton ndaj Burnley

17:55 | 18 Shtator 2021

Manchester City nuk ka arritur më shumë se një pikë ndaj Southamptonit, derisa Arsenal ka mposhtur Burnley në kuadër të xhiros së pestë në Premierligë.

Kampioni i Anglisë zhvilloi një ndeshje të mirë në “Etihad”, por në fund u mbyll pa gola, shkruan lajmi.net.

Rastet e shumta të Cityt assesi nuk përfunduan në gol, ku u vërejt se u mungonte vetëm finalizimi.

“Qytetarët” dominuan qysh nga minuta e parë, por të pafat para portës.

Southampton gjithashtu krijoi disa raste shënimi, por Ederson ishte në vendin dhe kohën e duhur.

Ylli shqiptar Armando Broja hyri në këtë takim si inkuadrues në minutën e 68-të.

Në fakt, City realizoi në fundin e takimit, por pas rishikimit të VAR-it u anulua për pozitë jashtë loje.

Pas barazimit, Man City renditët në pozitën e dytë me 10 pikë, derisa Southampton në vendin e 15-të me katër sosh.

Burnley 0 – 1 Arsenal

Arsenal ka shënuar fitoren e dytë radhazi në Premierligë, këtë herë si mysafirë i Burnley.

Skuadra e Mikel Arteta duket se ka nisur të rigjejë formën, ku sot fituan me rezultat minimal 0 – 1.

Ishte Martin Odegaard që realizoi golin e fitores në mënyrë fenomenale nga gjuajtja e lirë (30′).

Me këtë fitore, “Topçinjtë” ngritën në pozitën e 12-të me gjashtë pikë, derisa Burnel në vendin e parafundit pa pikë./Lajmi.net/