Maliqi: ShBA nga sot ka filluar zbatimin e sanksioneve kundër Industrisë së Naftës së Serbisë
Politologu Agon Maliqi ka bërë me dije se ShBA-ja nga sot ka filluar zbatimin e sanksioneve kundër Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS). Ai ka treguar se kjo po bëhet për shkak të pronësisë së kësaj kompanie nga kompania “Gazprom” i Rusisë. Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar për pasojat që do…

Lajme
Politologu Agon Maliqi ka bërë me dije se ShBA-ja nga sot ka filluar zbatimin e sanksioneve kundër Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS).
Ai ka treguar se kjo po bëhet për shkak të pronësisë së kësaj kompanie nga kompania “Gazprom” i Rusisë.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar për pasojat që do t`i ketë Serbia nga këto sanksione.
“Pas disa shtyerjeve, ShBA nga sot në mëngjes e ka filluar zbatimin e sanksioneve kundër Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS), për shkak të pronësisë nga Gazprom i Rusisë. Në nivel praktik kjo nënkupton pamundësim të veprimtarisë së kësaj kompanie që ka pasur qarkullim 3,5 milardë EUR në vitin 2024 dhe kontribuon me rreth 10% të buxhetit të Serbisë përmes taksave. Për shkak të “sanksioneve sekondare”, bankat dhe kompanitë e tjera që bashkëpunojnë me NIS do ta ndërpresin bashkëpunimin me të (psh. nuk mundesh me pagu me Visa ose MasterCard), sepse pastaj ato do të cilësoheshin shkelëse të sanksioneve.”, ka shkruar ai.
Sipas tij, presidenti i Serbisë do të detyrohet t`i ndërmarr disa veprime.
“Kompania thuhet se ka siguruar naftë importi për disa muaj por më pas Serbia do të përballet me mungesë nafte dhe me rritje çmimesh në një moment kur tashmë po përballet me krizë buxhetore dhe tensione politike. Rusia sipas raportimeve po refuzon ta shesë ndërmarrjen dhe Vuçiq me shumë gjasë do të detyrohet ta nacionalizojë, duke e krijuar kështu një situatë tensioni me Moskën”, ka shkruar ai.