Maliqi: Presidentja Osmani po bën sehir – nuk ka guxim, për çfarë hamami i ka këshilltarët
Analisti politik, Shkëlzen Maliqi, ka kritikuar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, për mungesë guximi dhe veprimi në raport me bllokadën politike në vend. Maliqi ka pyetur se për çfarë i ka presidentja Osmani këshilltarët e saj, që nuk i tregojnë se një nga detyrat e saj është garantimi i funksionimit të instituconeve të vendit. Postimi…

Lajme
Analisti politik, Shkëlzen Maliqi, ka kritikuar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, për mungesë guximi dhe veprimi në raport me bllokadën politike në vend.
Maliqi ka pyetur se për çfarë i ka presidentja Osmani këshilltarët e saj, që nuk i tregojnë se një nga detyrat e saj është garantimi i funksionimit të instituconeve të vendit.
Postimi i plotë:
Për çfarë hamami i ka Presidentja këshilltarët që nuk i tregojnë se një nga detyrat më madhore që i ka si Presidente e Kosovës është ajo e garantuesës të funkcionalitetit të institucioneve të shtetit. Ose, ndoshta nuk e kanë fajin këshilltarët (megjithse nuk u falet as heshtja) por vetë Presidentja po e parapëlqen të bëjë sehire duke kërkuar mënyrën se si me e siguru edhe mandatin e dytë në presidencë. E po, nuk po e tregon guximin e formatin për ushtrimin e detyrës për kompetencat që i ka. Ajo e ka mbi supet funkcionalizimin e Kuvendit, psh ka mundur menjëherë me e caktu një datë deri kur mundet me zgjat seanca konstitutive, jo 30 që e ka caktu arbitrarisht Kushtetuesja, por p-sh. 15 ditë, në analogji ne afatin sa e ka mandatari për krijimin e qeverisë. Pastaj le ta përligj këtë vendim të saj Kuvendi ose Gjykata kushtetuese, se kështu zgjidhen me vendime aktive të instancave më përgjegjëse boshllëqet në procedurat ligjore.
Pastaj, është dashtë t’i thotë prej kohësh Kurtit që të le menjëherë ose kolltukun e Kryeministrit, ose Mandatin e deputetit! Kjo është shkelja dhe skandali më i madh që rrjedh nga bllokada e deritashme, ku përfitojnë Kurti dhe ministrat jashtë mandatit, ku tërë kohën marrin vendime ekzekutive që nuk i takon t’i marrin, dhe nuk e kanë kontrollin (Kuvendin) që mund t’i ndalë dhe ndëshkojë.
Presidentja është dashur me urgjencë të adresojë çështjen e uzurpimit të pushtetit, bile edhe pa u drejtua te Gjykata Kushtetuse, sepse e ka autoritetin e interpretimit të detyrave taksative që i ka me Kushtetutën e Kosovës, dhe njëra prej tyre është garantimi i funkcionalitetit të institucioneve përnes respektimit të ligjeve. Presidente Osmani, Nuk je kukull, por ke kompetenca dhe detyra, shpall dekrete ekzekutive, dëshmo se je gruashtetase!