Malazezët e Kosovës i gëzohen propozimit të Thaçit për një vend në Kuvendin e Kosovës

Një nga propozimet e sotme të presidentit Hashim Thaçi ishte edhe garantimi i dy vendeve në Kuvendin e Kosovës, për malazezët dhe kroatët e Kosovës.

Lajme

04/11/2016 17:24

Ky propozim i Thaçit është pritur mirë nga Shoqata e Malazezëve të Kosovës.

“Kjo iniciativë është treguesi më i mirë se shteti i Kosovës ka qëllim të përmirësojë pozitën e komunitetit malazez dhe ta barazojë me të gjitha komunitetet tjera në Kosovë”, thuhet në komunikatën e kësaj shoqate.

Ata më tej thonë se e presin mirë këtë reformë, por vënë theks në atë se reforma duhet të bëhet edhe në zgjedhjen e presidentit, që sipas tyre duhet bëhet nga populli, por flasin edhe për lista.

“Në pyetjen se a duhet të ketë lista të mbyllura apo të hapura, ne mendojnë se duhet të jenë të mbyllura ngase forcojnë përgjegjshmërinë e partive duke ndikuar në cilësinë e zbatimit më të mirë të proceseve që presin Kosovën në të ardhmen”, thuhet nga Shoqata e Malazezëve të Kosovës.

Krejt në fund, kjo shoqatë, propozon që të ndalohet votimi me anë të postës pa letërnjoftim të Kosovës, pasi kjo ndalon manipulimet me letërnjoftime të Serbisë dhe legjitimacionet e refugjatëve.