Makina fluturuese kryen me sukses testin
Një aeroplan radikal, me emetim zero dhe me aftësi për ngritje dhe ulje vertikale, ka kryer me sukses testet e fluturimit
Auto & Tek
Dyvendëshi Lilium Jet ka kryer një sërë testesh mbi Gjermani, ku ka testuar edhe modalitetin e kalimit nga ngritja në fluturimin në vijë të drejtë.
Kjo makinë fluturuese, ngrihet e ulet vertikalisht si një helikopter, në një hapësirë mjaft të vogël dhe fluturon drejt si një avion, duke arritur një shpejtësi maksimale prej 290 km/orë.
“Ne kemi zgjidhur disa nga sfidat më të vështira inxhinierike në aviacion, për të arritur në këtë pikë. Provat na treguan se çdo gjë funksionon ashtu si e kishim parashikuar, ndaj tani mund të përqëndrohemi në prodhimin e modelit me pesë vende”, tha bashkëkrijuesi i Lilium Jet, Daniel Wiegand.
Nuk dihet ende se sa do të kushtojë kjo vepër, por kompania bën të ditur se po punon që avionët-taksi të jenë gati për treg në vitin 2018.
Ky model do të shërbejë për të zëvendësuar udhëtimet me taksi dhe prenotimi e fluturimi me të, do të bëhet nëpërmjet një aplikacioni.
Prodhimi i këtyre avionëve pritet të ulë kostot dhe shkurtojë kohë për lëvizjet brenda qytetit. /Lajmi.net/