Magjetoret hasjane hapin festivalin “Hasi Jehon” (Foto)
Në Kodrën e Pajtimit ka nisur dje edicioni i 27-të i festivalit “Hasi Jehon 2016”.
ShowBiz
Festivali u hap me ekspozitën e prodhimit të bukës dhe me veshjet hasjane. Karakteristikë e këtij viti ishte demonstrimi i gatimit nga gratë hasjane si dhe përgatitja e materialit për veshje, thuhet në një njoftim për media.
Me valle me motive hasjane, të parët në skenën e edicionit të 27 të Festivalit “Hasi jehon” parakaluan mikpritësit anëtarët e ShKA “Malësori” të cilët u paraqitën me valle me motive hasjane. Si gjithmonë valltarët e ShKA “Malësori” impresionojnë me veshjet karakteristike hasjane. Para publikut me një këngë u paraqitën në duet Shyhrete Osmanollaj dhe Përparim Brati dhe këngëtari tjetër hasjan Florim Çoçaj.
Më pas në skenë u paraqitën ansambli “Pjetër Bogdani” me vallen “Plaku dhe nusja”, me kërcimin karakteristik të burrave dhe me tri këngë popullore:Këngën “Moj Lahuta e Shqipërisë” e kënduan, Skender Sherifi dhe Nebi Dauti, këngën “Çou moj çikë e dil te ara” e këndoi Farie Tutaj dhe këngën “Një ditë të diele të pash me sy” e kënduan: Avni Metaliaj, Rifat Mulaj dhe Përparim Brati
Pas përfundimit të programit të Ansambli “Pjetër Bogdani, për shkak të shiut, ShKA “Bajram Shabani” nga Kumanova programin e shfaqi në sallën e shtëpisë së Kulturës. ShKA “Bajram Shabani” nga Kumanova u paraqitë me “Dasmën komanovase, me ritin “nata e pulës kah ana e dhëndrit dhe nata e kanës nga ana e nuses”, vallen me motive nga ana e Anamoravës dhe Karadakut të Kumanovës, me vallen e Nizamit, këngën për vajzërinë, këngën e kanës, lojën me filxhanë dhe lojën e kërcimit trup.
Ansambli “Muharrem e Xhevat Qenaj” u paraqit me Ritet e Shëngjergjit, me lojën e rrasave, hedhjen e gurapeshit, vallen me lodra e zurle, vallen me defa e lodra dhe vallen me tradita të Hasit.
ShKA “Rapsha nga Druma e Tuzit u paraqit me kërcimin tradicional “Vallen e shqipeve” dhe me me tri këngë popullore
Ansambli Foklorik Autokton “Rugova” nga Peja u paraqit me këngën malësorçe të kënduar nga Shaban Demaj, me këngën “Ti po del në qafë të Qakorit” të interpretuar me lahutë nga Isë Elezi, me një ritual lufte, me një valle vajzash, vallen me pistoletë vallen e Rugovës dhe vallen me jatagan.
Juria profesionale: Sami Piraj, Hysen Dida dhe Shaqir Hasi, do t’i përcjellë të tri netët e festivalit dhe do t’i ndajë shpërblimet tradicionale të festivalit “Hasi jehon”.

