LVV: Kushtetuesja po përgatit terren që pas 30 ditësh e drejta për kryetar të Kuvendit t’i kalojë partisë tjetër

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas publikimit të aktgjykimit të plotë nga Gjykata Kushtetuese lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, duke e cilësuar vendimin si tejkalim të juridiksionit dhe cenim të demokracisë. Në një komunikatë të LVV-së thuhet se vonesa prej 10 ditësh në publikimin e vendimit tregon pamundësinë e Gjykatës për të…

Lajme

18/08/2025 20:01

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas publikimit të aktgjykimit të plotë nga Gjykata Kushtetuese lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, duke e cilësuar vendimin si tejkalim të juridiksionit dhe cenim të demokracisë.

Në një komunikatë të LVV-së thuhet se vonesa prej 10 ditësh në publikimin e vendimit tregon pamundësinë e Gjykatës për të justifikuar një “vendim arbitrar”.

“Gjykata ka shkruar një rregull të ri, përtej kompetencave të saj, me kufij të ngushtë arsyetimi që burojnë nga gjerësia e tejkalimeve që i ka lejuar vetes”, thuhet në reagim.

LVV thekson se vetë Gjykata e ka pranuar se votimi i fshehtë nuk është në kundërshtim me Kushtetutën, duke rrëzuar, sipas saj, “zhurmën opozitare”.

Por, sipas Vetëvendosjes, paragjykimi për mungesë konsensusi politik, pa u hedhur asnjëherë çështja në votim, është mbështetje ndaj subjekteve bllokuese dhe rikthim te ngërçi i deritanishëm.

Sipas reagimit, Gjykata ka përdorur analogji të paqëndrueshme me zgjedhjen e Presidentit, ku Kushtetuta përcakton qartë raundet e votimit dhe pasojat e moszgjedhjes.

LVV e konsideron këtë si “përdorim të frazave të opozitës, veçanërisht të PDK-së”, dhe paralajmëron se Gjykata po përgatit terrenin që, pas skadimit të afatit 30-ditor, e drejta për propozimin e kryetarit të Kuvendit të kalojë te ndonjë parti tjetër.

“Si rrallë herë, Gjykata Kushtetuese nuk iu referua asnjë kushtetute evropiane apo botërore dhe nuk kërkoi mendime nga gjykatat homologe për krahasueshmëri rastesh. Një rast i paprecedentë”, përfundon reagimi i LVV-së.