LVV kërkon shkarkimin e bordit të RTK-së, Kastrati u thotë të mos bëjnë spektakle

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, Visar Korenica ka kërkuar shkarkimin e bordit të RTK-së duke e akuzuar  për punësime familjare.

Lajme

21/04/2021 11:52

Ai këto komete i ka bërë gjatë raportimit të bordit drejtues të RTK-së në këtë Komision.

Korenica po ashtu ka kërkuar edhe formimin e një komision hetimor për mediumin publik.

Ai ka thënë se me kontratë mbi vepër janë punësuar Leotrim Thaçi dhe gruaja e tij, Festina Cakolli, ndërsa vëllai i kësaj të fundit është punësuar si kameraman.

Në bazë të diskutimeve është raportuar se është punësuar edhe dhëndri i kryetarit të Bordit.

“Sali Bashota a bie kjo në kundërshtim me ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit. RTK është sinonim i keqpërdorimeve të vazhdueshme. Për të gjitha këto parregullsi duhet të formohet një komision hetimor sa më parë që ta hetojë gjendjen në RTK dhe të monitorohet nga organet ndërkombëtare. Prokuroria duhet të nis sa më parë hetimet ndaj keqpërdorimeve në RTK. Atë që Kuvendi duhet ta bëjë me urgjencë është kthimi i ligjshmërisë duke shkarkuar bordin aktual dhe duke nxjerrë një bord profesional”, ka thënë ai.

Ndërsa, drejtori i Përgjithshëm i RTK-së, Ngadhënjim Kastrati, i është përgjigjur Korenicës duke i thënë se i vjen keq për pyetjet dhe konstatimet që i ka bërë.

“E para nuk është mirë me hy me emra, e dyta Leotrim Thaçin po doni me sulmu, i njëjti është punësuar 3 muaj ka punu në ekspertizë ka qenë profesionist, vetë jam angazhu me e marrë se ka qenë profesionist, i ka marr tri rroga më nuk është në punë. Drejtor i përgjithshëm jam unë, jam drejtor nuk të jap ty llogari ty me ardh me të vetë kënd me marrë në punë. Unë nuk jam budall e respektoj ligjin. Mos bëni spektakle pse kjo kështu pse kjo kështu? I respektojmë të gjitha ligjet dhe rregullat, jemi të thirrur me ju përgjigj po ju me ju vet juve kë me marrë në punë”, ka thënë ai.

Sali Bashota, kryetar i Bordit të RTK-së ka thënë se dhëndri i tij është punësuar për një periudhë 3-4 muaj dhe pastaj i është ndërprerë kontrata.

“Lidhur me tekstin që e lexove po lidhem me punësimin e dhëndrit tim shkoni, shikoni nëse dhëndri im punon në RTK, ka punuar një periudhë 3-4 muaj dhe i është ndërprerë kontrata. Është mirë të mos i referoheni burimeve të pa verifikuara sepse jeni deputet në Kuvendin e Kosovës. Nuk është e ndershme nuk është profesionale”, ka thënë ai.