​Lutfi Haziri: As Kuvend, as Qeveri

Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri tha “as Kuvend, as Qeveri”, kur u pyet nëse do të votojnë për apo kundër sot në seancën konstituive. Deputetët e zgjedhur pritet të mblidhen sot në orën 12:00 në një tentim të tretë për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës. Kryesuesi…

Lajme

19/04/2025 12:01

Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri tha “as Kuvend, as Qeveri”, kur u pyet nëse do të votojnë për apo kundër sot në seancën konstituive.

Deputetët e zgjedhur pritet të mblidhen sot në orën 12:00 në një tentim të tretë për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës.

Kryesuesi i seancës konstituive, deputeti i zgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Dehari ka ftuar sërish të shtunën në konsultë partitë politike, pak para fillimit të seancës.

Tentimi i parë për konstituimin e Kuvendit ishte më 15 prill por partitë që deri më tash ishin në opozitë, votuan kundër raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve.

Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës argumentuan se anëtarët e qeverisë në detyrë duhet të japin dorëheqje formale para se të betohen si deputetë.

Për kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, kjo nuk është e nevojshme meqë sipas tij, qeveria është në detyrë që prej marsit – periudhës së certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Ligjit për Qeverinë – i miratuar gjatë mandatit të Kurtit – përcakton se nëse një anëtar i ekzekutivit zgjidhet deputet i Kuvendit, i njëjti duhet të jap dorëheqje nga posti qeveritar para ditës së certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve.

Ashtu siç e parasheh rregullorja e Kuvendit të Kosovës, deputetët e zgjedhur u mblodhën pastaj më 17 prill – 48 pas mbledhjes së parë – në një tentim të dytë për konstituimin e organit legjislativ.

Ndërprerjet gjatë seancës konstituive nuk duhet të jenë më të gjata se 48 orë, thuhet në Nenin 12, pika 5 e rregullores së Kuvendit.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari i LVV-së ftoi për konsultë partitë politike të enjten dhe më pas e ndërpreu seancën duke thënë se “nuk pati konsensus” se si të vazhdohet tutje.

PDK, LDK dhe AAK kritikuan Lëvizjen Vetëvendosje për dështimin e seancës, që sipas tyre po bëhet për “pazare politike”.