Lutë, u kry!

Isa Mustafa thotë se Gjilani nuk ka nevojë për balotazh. Ai ia uroi paraprakisht fitoren Lutfi Hazirit. E Luta bëri një deklaratë interesante: Pohoi se janë çuar në këmbë ushtarët e Ibrahim Rugovës, ndërsa për Thaçin tha se u soll si hije në Gjilan.

Lajme

30/10/2013 18:59

I ngazëllyer nga prania e madhe e simpatizantëve në Sallën e Sporteve në Gjilan, Kryetari Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, e ka cilësuar garën në këtë qytet të përfunduar.

“Lutë, u kry!”, tha Mustafa, duke ju referuar thënies së njohur “Bac, u kry”.

“Gjilani gjithmonë ka ditur të nderojë liderët e mirë dhe më 3 nëntor gjithashtu vendimi juaj është historik, sepse askush më nuk do ju ndalojë dhe askush më nuk do të përfitojë e terrorizojë në emrin tuaj”.

Isa Mustafa ka apeluar tek KQZ dhe institucionet shtetërore që mos të lejojnë kurrfarë abuzimi me votat, sepse, sipas tij, pastaj të gjithë do të pësojnë.

“Veprimet e kundërligjshme nuk do të tolerohen nga LDK’ja”.

“Edhe tani së fundit Qeveria ka ndarë 4 milionë euro për komunat e PDK;së, por ne nuk e dimë a janë ndarë për fushatë apo për nevoja tjera”.

Isa Mustafa tha se LDK’ja do e marrë pushtetin vitin e ardhshëm kurse vendimi për Gjilanin është marrë sonte.

“Gjilani nuk ka nevojë fare për balotazh, kështu që mund t`ia uroj sonte fitoren Lutës”

Kandidati i  LDK’së për Gjilanin, Lutfi Haziri, kritikoi PDK’në  duke thënë se Gjilani po trajtohet si jetim dhe po diskriminohet.

“Këtë përjashtim s’do ta lejojmë më, sepse bëhet fjalë për ushtarët e Ibrahim Rugovës”.

“Ne nuk lejojmë të trajtohemi si jetimë, të përjashtuar, të diskriminuar, dhe vendi jonë të abuzohet me keqqeverisje nga kjo parti e keqe nga këta njerëz që nuk dinë tjetër pos të garojnë mes vete cili është hajni më i madh”.

“Ai (Thaçi) që për 12 herë në Gjilan u soll si hije, ai që për 12 herë këtë javë nuk arriti me e mbushë një sallë të vogël, një shtëpi, një rrugë”.

“Edhe nuk do të mundet në Gjilan, sepse janë çuar në këmbë ushtarët e Ibrahim Rugovës sepse LDK’ja në Gjilan është bashkuar”.