Lushaku: Viti shkollor po nis me rrëmujë, mijëra nxënës ende pa libra
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, ka kritikuar Ministrinë e Arsimit për mënyrën se si, sipas saj, po përgatitet fillimi i vitit të ri shkollor. Lushaku ka thënë se viti shkollor po nis me “rrëmujë, vonesa dhe ankth të prindërve”, duke pretenduar se rreth 200 mijë nxënës të klasave 1–9, vetëm pak ditë…
Lajme
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, ka kritikuar Ministrinë e Arsimit për mënyrën se si, sipas saj, po përgatitet fillimi i vitit të ri shkollor.
Lushaku ka thënë se viti shkollor po nis me “rrëmujë, vonesa dhe ankth të prindërve”, duke pretenduar se rreth 200 mijë nxënës të klasave 1–9, vetëm pak ditë para fillimit të mësimit, ende nuk e dinë se kur do t’i kenë tekstet shkollore.
“Prindërit presin subvencionet, libraritë presin prindërit, ndërsa fëmijët rrezikojnë të ulen përsëri në bankat shkollore pa libra”, ka shkruar ajo.
Sipas Lushakut, shqetësues është fakti se Ministria e Arsimit, më 27 gusht, ende nuk e ka caktuar shumën e subvencionimit për tekstet shkollore.
“Data e fillimit të vitit shkollor dihej botërisht. Ministria ka pasur muaj të tërë për t’u përgatitur, jo ta lë organizimin, kur zilja e parë është gati të bjerë”, ka deklaruar Lushaku.
Ajo e ka cilësuar këtë qasje si “poshtëruese” ndaj nxënësve, prindërve dhe mësimdhënësve, duke akuzuar Ministrinë e Arsimit për mungesë të organizimit në kohë.
“Tash e pesë vite e njëjta skenë: vendime në minutën e fundit, prindër që vrapojnë pas librave, vonesa në furnizim dhe nxënës që e fillojnë shkollën pa kushtet më bazike për mësim”, ka shkruar deputetja e LDK-së.
Në fund, Lushaku ka kritikuar edhe Qeverinë në detyrë, duke thënë se pasojat e kësaj situate po i bartin nxënësit dhe familjet e tyre.
“Fëmijët dhe familjet tona po e paguajnë çmimin e paaftësisë së një të ashtuquajture Qeveri në detyrë, që veç në detyrë nuk është!”, ka përfunduar ajo. /Lajmi.net/