Luftojeni korrupsionin, po na ha jetën!

Korrupsioni dhe krimi i organizuar nuk mund të çrrënjosen me fjalë apo thjeshtë vetëm për shkak të dëshirës sonë, por me veprimet tona, me zbatimin e ligjit, nga vullneti ynë, edhe politik, për të luftuar dukuritë që po hanë çdo segment të jetës sonë dhe mund të vënë në rrezik proceset demokratike të shtetit tonë.

Lajme

05/09/2014 12:58

Kështu ka deklaruar të premten presidentja e Republikës Atifete Jahjaga në konferencën “Vlerësimi i zbatimit të Planit të Veprimit për Rritjen e Efikasitetit të Sistemit Prokurorial për Luftimin e Korrupsionit”, të organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

“Ne sot ndodhemi në një moment vendimtar për të ardhmen e shtetit, e  cila varet nga veprimet tona për t’u përballur me sfidat përpara nesh. Ndodhemi në një periudhë të rëndësishme për vendin, kur proceset nëpër të cilat po kalojmë përcaktohen nga guximi dhe forca jonë për të vepruar. Dhe veprimet tona varen plotësisht nga vullneti ynë, edhe politik, sepse fenomeni i korrupsionit dhe i krimit të organizuar nuk mund të çrrënjosen thjeshtë vetëm për shkak të dëshirës sonë për t’i parë të zhdukura”.

“Ka shumë kohë që shoqëria në Kosovë ka dëgjuar prej nesh, qoftë udhëheqës të institucioneve të shtetit, por edhe prej jush mekanizma të thirrur për luftimin e këtyre fenomeneve, zotime për tolerancën zero ndaj korrupsionit. Korrupsioni dëmton proceset demokratike dhe në veçanti godet sundimin e ligjit. Korrupsioni e prek cilësinë e jetës së qytetarëve tanë, shkatërron qelizat kryesore të shoqërisë dhe çon drejt fenomeneve të tjera të rrezikshme.  Ai gjithashtu mund të godas rëndë edhe vlerat më të rëndësishme të saj”, ka thënë presidentja.

“Dhe prandaj duhet ta ndalim! Jemi përkushtuar për ndërtimin e një shteti që i trajton të gjithë qytetarët të barabartë para ligjit, se askush nuk mund të jetë mbi ligjin, se vullneti ynë për të ndërtuar shtetin e së drejtës është realitet dhe se e ardhmja nuk mund të pengohet nga kushdo, që del përtej ligjit. Ju jeni në ballë të institucioneve që janë të thirrura për të luftuar fenomenet negative në shoqëri. Barra mund të bie mbi ju, po aq sa mbi ne udhëheqësit e vendit, që duke treguar vullnetin tonë dhe mbështetjen tonë për ju, të dëshmojmë se të ardhmen e të rinjve tanë nuk do ta mbajmë peng”, ka thënë presidentja para të pranishmëve, kryesisht prokurorë dhe përfaqësues të sigurisë së vendit.

“Duhet të dëshmojmë së bashku, që të marrim përgjegjësinë tonë në luftën kundër korrupsionit. Ne duam që qytetarët tanë të lëvizin lirshëm, sikur edhe qytetarët e tjerë të këtij rajoni, në vendet e BE-së. Dhe ky proces i liberalizimit të vizave varet nga ne, edhe nga udhëheqësit e institucioneve, nga ju prokurorë, nga ju gjykatës. Korrupsioni nuk mund ta pengojë lëvizjen e lirë të qytetarëve tanë, po aq sa nuk mund të ndalojë procesin e integrimit në BE”.

“Prandaj na duhet forcë dhe vullnet! Lufta kundër korrupsionit bëhet në çdo nivel edhe atë qendror edhe komunal. Lufta kundër korrupsionit nuk mund të jetë e copëzuar, selektive dhe e pakryer. Ajo është gjithëpërfshirëse, sepse korrupsioni po e han çdo segment të jetës. Pra, një luftë e plotë, e përditshme dhe e bashkërenduar nga të gjithë mekanizmat institucional”, ka thënë ndër të tjera presidentja.