Luftërat e pashpallura hibride të Ballkanit

Shkruan: Adri Nurellari Partitë filo-serbe të Malit të Zi, tentuan të rikthejnë flamurin historik me shiritat kuq-blu-bardhë; një simbol ky që lidhet drejtpërdrejt me identitetin serb. Ky akt i pasuksesshëm nuk ishte nostalgji estetike, por një lëvizje politike e llogaritur mirë për të rishkruar identitetin shtetëror dhe sfiduar orientimin gjeopolitik aktual të Podgoricës përmes një…

Opinion

10/04/2026 11:28

Shkruan: Adri Nurellari

Partitë filo-serbe të Malit të Zi, tentuan të rikthejnë flamurin historik me shiritat kuq-blu-bardhë; një simbol ky që lidhet drejtpërdrejt me identitetin serb. Ky akt i pasuksesshëm nuk ishte nostalgji estetike, por një lëvizje politike e llogaritur mirë për të rishkruar identitetin shtetëror dhe sfiduar orientimin gjeopolitik aktual të Podgoricës përmes një simbolike që artikulon nënshtrimin ndaj sferës së ndikimit serb.

Parlamenti malazez fatmirësisht nuk e futi në rendin e ditës këtë propozim. Megjithatë, tentativa e rikthimit të flamurit trengjyrësh nuk është një episod i izoluar, por një sinjal i qartë se shoqëria dhe politika atje janë ende thellësisht të përçara dhe polarizuara. Nga njëra anë, një Mal i Zi që kërkon të ruajë identitetin e vet shtetëror dhe kursin euroatlantik dhe nga ana tjetër ka forca që përpiqen të rikthejnë narrativat historike dhe simbolikat që e lidhin vendin me Serbinë dhe Rusinë.

Prandaj, duhet vënë në dukje se tentativa në fjalë nuk është vetëm çështje simbolesh e krenarie, por taktikë në kuadër të luftës hibride; është përpjekje për të krijuar tension të brendshëm, për të zvarritur reformat dhe për të sabotuar ose ngadalësuar integrimin në Bashkimin Europian. Thënë ndryshe, nuk kemi të bëjmë me një debat mbi dizajnin e pëlhurës, por një taktikë të sofistikuar në kuadër të luftës hibride. Mjeshtrit e këtyre lëvizjeve (që KGB-ja i quante “masa aktive”) synojnë prodhimin e tensionit të brendshëm artificial për të paralizuar reformat jetike, për të parandaluar konsolidimin shtetëror dhe për të sabotuar integrimin në Bashkimin Europian.

Tentativa e ndryshimit të flamurit malazez përputhet me manualin klasik të “Luftës Hibride” ku shteti nuk goditet me tanke nga jashtë, por kalbet përmes përçarjes identitare nga brenda, duke e kthyer sovranitetin në një fushëbetejë emocionesh arkaike ciklike. Prandaj, vlen të analizohet kjo lloj lufte sepse nuk është aspak hera e parë. Një skenar i ngjashëm u përdor edhe dekadën e kaluar, në përpjekje për të penguar anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi në NATO. Në vend që të përballeshin drejtpërdrejt me aleancën, aktorët që kundërshtonin zgjerimin e saj zgjodhën një rrugë më të zgjuar: atë të destabilizimit të brendshëm. Në Maqedoninë e Veriut, kjo u manifestua përmes krizave politike të thella politike dhe tensioneve etnike që kulmuan me rastin e Kumanovës. Në Mal të Zi, tentativa për grusht shteti në vitin 2016 ishte një shprehje më e hapur dhe e rrezikshme e të njëjtit model. Qëllimi në të dy rastet ishte qartazi që të krijohej një realitet i brendshëm kaotik që do ta bënte integrimin euroatlantik të pamundur ose të paktën të vonuar.

Ky model nuk po zhvillohet i izoluar në Mal të Zi, por e shohim anembanë rajonit sot; madje, me goxha sukses. Duhet kuptuar se kur politika zhvendoset nga ekonomia te simbolika dhe nga reformat te mitologjia, loja ruso-serbe korr suksesin e saj maksimal me vendet tona. E shohim këtë model në Kosovë, ku krizat e vazhdueshme në Veri dhe tensionet e prodhuara rreth strukturave paralele janë pjesë e të njëjtës logjikë destabilizimi. Po ashtu edhe në Maqedoninë e Veriut, ku debati politik devijohet larg nga ekonomia dhe reformat e integrimit drejt historisë dhe simbolikës – sikurse po shihet me protestat e studentëve. I njëjti model po vepron edhe në Bosnje Hercegovinë, por në një formë edhe më të institucionalizuar dhe të rrezikshme. Përmes krizave të vazhdueshme politike, kërcënimeve për shkëputje nga Republika Sërpska dhe bllokimit sistematik të institucioneve shtetërore, po prodhohet një paralizë e qëllimshme e shtetit. Edhe atje kemi të bëjmë me një luftë hibride në formën e saj më të pastër, sepse shteti nuk sulmohet nga jashtë, por mbahet peng nga brenda, përmes krizave të pafundme që e bëjnë funksionimin normal pothuajse të pamundur dhe integrimin euro-atlantik një iluzion gjithnjë e më të largët.

Ndërkohë që ne gëzohemi në Prishtinë apo Tiranë se kemi blerë raketa amerikane anti-tank Javelin, gjendemi krejt të paarmatosur në “luftën e zonës gri” apo në “luftën jolineare” siç e quan Valery Gerasimov, shefi i shtabit të ushtrisë ruse. Doktrina e tij nënkupton një strategji për të dobësuar dhe destabilizuar një vend pa hyrë në luftë të hapur, duke përdorur presion politik, propagandë, dezinformim, krim, shantazh, ekonomi, spiunazh, manipulim dhe mjete të tjera jo-ushtarake. Të gjitha këto janë veprime që nuk e tejkalojnë pragun e luftës së hapur, pra nuk hyjnë në konflikt direkt të armatosur, por lidhen me një realitet ku kufiri mes paqes dhe luftës bëhet i paqartë.

Dhe, këtu qëndron ironia më e madhe e kohës sonë. Ndërkohë që vendet e rajonit investojnë në mbrojtje klasike (armë, pajisje, trajnime ushtarake) ato shpesh mbeten të pambrojtura ndaj këtyre formave të reja të luftës. Është shumë më e lehtë të identifikosh një tank sesa një narrativë. Është shumë më e lehtë të mbrohesh nga një sulm fizik sesa nga një operacion i sofistikuar dezinformimi.

Kjo krijon një asimetri të rrezikshme ku shtetet tona janë të përgatitura për luftën e djeshme, por jo për luftën e sotme.

Synimi i kësaj lufte speciale të sotme është t’i kthejnë shtetet e reja të Ballkanit në vende që nuk merren më me reforma, por me flamuj e simbolika; nuk merret me ekonomi, por me histori. Dhe pikërisht këtu e arrin suksesin loja ruso-serbe; kur e zhyt një vend në labirintet e pafundme të debatit për të shkuarën, faktikisht ia ke bllokuar të ardhmen.

Parë në këtë prizëm, mund të thuhet se kjo strategji cinike, por efikase armiqësore, po korr sukses të madh në Kosovë sot. Ngërçi për formimin e qeverisë që patëm vjet, mos zgjedhja e presidentit dhe rreziku i zgjedhjeve të parakohshme krijojnë një vakum institucional ideal për ndërhyrje dhe destabilizim, duke e zhvendosur vëmendjen nga reformat dhe zhvillimi drejt krizave të pafundme politike që dëmtojnë rëndë pozicionin ndërkombëtar.

Të merremi vesh, kjo nuk është ftesë për konspiracion dhe për të thënë se çdo krizë është e orkestruar nga jashtë dhe për të nënkuptuar se përfaqësuesit e elitës politike janë vendosur në shërbim të agjenturave armiqësore. Mjafton të kuptosh se çdo krizë e brendshme krijon mundësi për ndikim të jashtëm. Këtu duhet gjithashtu sqaruar se shpesh lufta hibride nuk krijon probleme nga hiçi, por i gjen ato aty ku ekzistojnë dhe i amplifikon. Ajo nuk ndërton konflikte të reja, por ushqen e thellon ato ekzistuese duke synuar që shteti fillon të humbasë aftësinë për të funksionuar në mënyrë efektive.

Kjo është arsyeja pse kjo formë lufte e sofistikuar gri është kaq e rrezikshme; sepse ajo nuk perceptohet si luftë. Nuk ka një armik të dukshëm me uniformë, madje pa e kuptuar mund të jemi pikërisht ne armiqtë kryesorë të vetvetes. Kjo lloj lufte nuk ka një front të qartë, nuk ka një moment kur mund të thuash “lufta filloi” dhe vija e kuqe e kufirit u shkel. Mirëpo, efektet e saj janë reale, të rënda dhe afatgjata.

Me sa duket, në botën moderne ku po jetojmë, pushtimi është bërë disi i dalë mode dhe tejet i kushtueshëm, prandaj është shumë më efikase dhe e leverdishme ta bindësh një vend të vetësabotohet apo vetëparalizohet. Mjafton pak helm politik, pak përçarje dhe shumë zhurmë emocionale identitare, dhe sistemi fillon të bllokohet nga brenda, pa pasur nevojë për çizmen e ushtarëve. Sepse, kjo farë lufte nuk ka nevojë për fitore spektakolare, traktate kapitullimi apo aneksim territorial; mjafton që kundërshtari të mos kuptojë kurrë që ka humbur. Pse do kesh nevojë ta pushtosh një shtet kur ai është duke u rrëzuar vetë, gradualisht dhe pa e kuptuar.