“Luftë” me minjtë (Video)

Bashkia e Parisit po mbyll përkohësisht parqet e kryeqytetit në kuadër të një përpjekjeje për të luftuar minjtë.

Bota

08/12/2016 15:14

Pesë parqe janë mbyllur dhe publiku do të ndalohet të hyjë edhe në Champ de Mars, nga kulla Eiffel. Zyrtarët thonë se numri i minjve është rritur shumë për shkak të mbeturinave me shumicë. Por, Parisi, sipas tyre, nuk kërcënohet nga ndonjë epidemi e mundshme.

Fushata “Coup de poing” ose godit, bazohet në ngritjen e kurtheve të reja për minjtë, që thuhet se janë miqësore me ambientin, si edhe sensibilizimin e publikut që të mos ushqejë pëllumbat. Kurthe për minjtë po vendosen në disa sheshe të Parisit, mes të cilëve Cambronne dhe Garibaldi si edhe në kullën Saint-Jacques, një monument i famshëm në Rue de Rivoli, që po ashtu është mbyllur.

Banorët në fakt kanë kohë që ankohen duke thënë se turma minjsh shiheshin shpesh gjatë orëve të natës. Edhe koshat e mbeturinave po ridizenjohen në mënyrë që minjtë të mos mund të hyjnë më brenda tyre.

Operacioni anti-minj është një përpjekje e përbashkët e autoriteteve përgjegjëse për pastrimin e rrugëve, parqeve dhe kanalizimeve. Në vitin 2014, video dhe foto që tregonin minjtë në një vend pikniku pranë muzeut të Luvrit në Paris, tërhoqën vëmendjen e mediave. Mendohet se ka rreth 6 milionë brejtës në Paris, e nëse do të bëhej një krahasim, 2.5 minj për çdo banor.

YouTube player