Lufta kundër korrupsionit është e vështirë, por jo edhe e pamundur
Kryetari i ardhshëm i Prokurorisë së shtetit, Aleksandër Lumezi i ka shpallur luftë korrupsionit duke thënë se lufta ndaj kësaj dukurie është e vështirë, por jo e pamundur.
Lajme
Ai ka thënë se korrupsioni do të luftohet edhe brenda sistemit gjyqësor, duke filluar edhe nga analiza e vendimeve të mëparshme gjyqësore.
“E vështirë do të jetë lufta kundër korrupsionit, posaçërisht në fushën e drejtësisë. Është e çuditshme se si mediat janë më efikase në zbulimin e korrupsionit sesa Prokuroria e Shtetit. Lufta kundër korrupsionit është e vështirë, por jo e pamundur. Për këtë qëllim, duhen marrë masa dhe duhet bërë analiza për të reaguar sa më shpejtë në ndjekjen dhe zbulimin e zyrtarëve të korruptuar”.
“Prokurorët e shtetit duhet të bëjnë analiza edhet vendimeve të kundërligjshme të Gjyqësorit, që deri më tani ka munguar. Vetëm analiza dhe jo kontroll të vendimeve gjyqësore, pasi është shkalla e dytë ajo që e bën atë punë. Definitivisht korrupsioni i brendshëm, në kuadër të sistemit të drejtësisë, duhet të zbulohet dhe të luftohet edhe në bazë të analizave të vendimeve gjyqësore, gjë që nuk është bërë deri më tani”, ka thënë ai, shkruan Kosova Sot.
Lumezi ka thënë se të gjitha task-forcat të cilat janë krijuar deri më sot, në luftën kundër krimit të organizuar, do të ridizajnohen në mënyrë që të jenë sa më efikase.
“Në funksion të ndjekjes efektive të këtyre rasteve penale që kanë të bëjnë me krimin e organizuar, duhet të fuksionalizohet secila task-forcë e krijuar deri më tani. duke ridizajnuar strategjitë përkatëse të bashkëpunimit me të gjithë mekanizmat relevantë ndërinstitucionalë, të cilët kanë për obligim ligjor të luftojnë me përkushtim këtë spefrë kriminale. Strategjitë e tilla të ridizajnuara konsideroj se do të kenë sukses, nëse do të funksionojmë sipas parimit të shënjestrimit të rasteve konkrete”.
Aleksandër Lumezi thotë se Kosovës i duhen prokurorë të rinj të cilët do të merren me krimet e luftës dhe për këtë fushë ai ka ndërmend të krijojë një njësit të veçantë të prokurorëve.