Lluka: Parku Inovacionit qendër e bashkëpunimit rajonal

Me organizim të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik në Kosovë po qëndron delegacioni i Odave Ekonomike Rajonale.

Lajme

25/05/2019 16:27

Delegacioni i përberë nga Odat Ekonomike të Ballkanit Perëndimor në ditën e sotme ka qëndruar në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve në Prizren, prej ku janë diskutuar mundësitë për rritjen e bashkëpunimit rajonal.

Ministri i Zhvilimit Ekonomik, Valdrin Lluka, tha se po shohim mundësitë ky park të shëndrrohet në park rajonal dhe të jetë shembull për industritë e tjera.

“Jo rastësisht jemi në Prizren një qytet multi-etnik. Qëllimi jonë është që nga afër të shohim infrastrukturën e kësaj qendre që është transferuar në menaxhimin e GIZ-it dhe ta kemi një park rajonal për të sjellë investime të ndryshme. Ideja jonë është që përmes këtij projekti ta promovojmë bashkëpunimin rajonal t’i kemi të gjithë akterët këtu dhe ky model të përdoret edhe në të ardhmen. Industritë që parashihen do të shërbejnë si modele për të gjitha industritë e tjera”.

Nikoqiri i këtij organizimi, Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi tha se investimet do çojnë përpara vendin dhe mirëqenien e qytetarëve.

“Sot jemi bashkërisht me kryetarët e odave të Ballkanit Perëndimor që veprojmë në forumin investiv të Ballkanit Perëndimor. Investimet e tilla mund të shtyjnë përpara zhvillime në mirëqenien tonë, në krijimin e vendeve të punës, në eksport etj”.

Në anën tjetër Kryetari i Odës Ekonomike të Serbisë, Marko Cadez tha se do të mundohen që të sjellin kompani që të investojnë në Kosovë. /Lajmi.net/