Llapi ‘shpartallon’ Feronikelin, nuk gabojnë Ballkani dhe Drita

Sot (e mërkurë) kanë përfunduar tre takimet e para në kuadër të xhiros së 21-të në Superligën e Kosovës.

Sport

23/02/2022 14:53

Ballkani ka shënuar fitore në shtëpi ndaj Ulpianës (3:0), Llapi bindshëm ka triumfuar ndaj Feronikelit (4:1), derisa Drita ka fituar në udhëtim te Malisheva (1:2), shkruan lajmi.net.

Derbi më interesant ishte në Malishevë, ku “Intelektualët” arkëtuan pikët e plota.

Simonovski hapi serinë e golave pas 49 minutave lojë, derisa Fazliu u tregua i saktë nga pika e bardhë për golin e dytë (61′).

E tëra që bënë vendasit, ishte goli i nderit i shënuar nga Marc-Olivier, tetë minuta para përfundimit të kohës së rregullt (82′).

Drita me këtë fitore mban pozitën e dytë me 41 pikë, derisa Malisheva renditët në pozitën e shtatë me 23 sosh.

Ballkani gjithashtu pa problem ka arkëtuar pikët e plota në Suharekë, duke mposhtur bindshëm Ulpianën me rezultat 3:0.

Kuc hapi serinë e golave me një gol të bukur (41′), ndërsa tre minuta më vonë Baftiu dyfishoi rezultatin (44′).

Ishte Mevlan Zeka që u përkujdes për golin e tretë, njëkohësisht i fitores (75′).

Pas triumfit, Ballkani mban kreun me 42 pikë, derisa Ulpiana renditët në pozitën e tetë me 19 sosh.

Ndërkohë, edhe Llapi ka triumfuar bindshëm në shtëpi ndaj Feronikelit (4:2).

Skuadra e Tahir Batatinës shënoi katër herë brenda 45 minutave, për të siguruar herët fitoren.

Firmino ndryshoi serinë e golave pas vetëm gjashtë minutave, me Maliqin që dyfishoi avantazhin në minutën e 10-të.

Latif realizoi golin e tretë (34′), derisa Bianor të katërtin (41′), rezultat me të cilin edhe u mbyll kjo pjesë.

Feronikeli shënoi dy herë në pjesën e dytë, por të pafuqishëm për të bërë përmbysjen.

Me këtë fitore, Llapi zë pozitën e katërt me 36 pikë, derisa Feronikeli vazhdon si pozitë e fundit me vetëm 11 pikë./Lajmi.net/