Lladrovci: Pas marshit të 17 shkurtit, të mos ndalemi – Të vazhdojmë me protesta e organizime deri të lirohen çlirimtarët

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka shkruar për marshin “Drejtësi, jo politikë” që do të mbahet më 17 shkurt për të kërkuar drejtësi për ish-krerët e UÇK-së në Hagë. Ai ka thënë se heronjtë e luftës dhe të paqes që ndodhen në Hagë, kanë dëshmuar se Kosova ishte në rend të parë. “Ata,…

Lajme

15/02/2026 18:26

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka shkruar për marshin “Drejtësi, jo politikë” që do të mbahet më 17 shkurt për të kërkuar drejtësi për ish-krerët e UÇK-së në Hagë.

Ai ka thënë se heronjtë e luftës dhe të paqes që ndodhen në Hagë, kanë dëshmuar se Kosova ishte në rend të parë.

“Ata, me vetëdije të plotë, për qëllimin madhor, ofruan bashkëpunim dhe siguruan votat në Parlamentin e Kosovës, për ta miratuar Gjykatën e cila përkundër mangësive, paqartësive dhe shenjave të dobësisë, duhej miratuar. Bëhej fjalë për të ardhmen e Kosovës, për këtë, ata nuk ndalen”, ka thënë Lladrovci.

Ai ka thënë se sot Gjykata është shpërfytyruar dhe nuk qëndron as brenda qëllimeve të themelimit e as parimeve të drejtësisë ndërkombëtare.

“Nga fjala përfundimtare, prokurorët tentuan jo vetëm ta kontestojnë rrolin historik për lirinë e Kosovës të Hashimit, Kadriut, Jakupit, Rexhës dhe të tjerëve, por, ta kontestojnë edhe të drejtën tonë për të qenë të lirë, platformë kjo e njohur e okupatorit. Prokurori i Specializuar në Hagë, me kërkesën që katër udhëheqësit tanë të dënohen me 180 vjet, të sjell ndërmend, tregimet e pabesueshme të kohës nën sundimin otoman apo të ish Jugosllavisë me dënime drakonike”, ka shkruar Lladrovci.

Ai ka thënë se kësaj tendence duhet thënë “STOP”.

“Më 17 shkurt në Prishtinë, do të jemi shumë për të demonstruar kundër padrejtësisë që ju bëhet liderëve tanë dhe Kosovës. Do të jemi aty për të dëshmuar se jemi me udhëheqësit tanë, jemi me personalitetet tona historike, me kontribuuesit e jashtëzakonshëm të historisë tonë të re, jemi me sfidat që përjetoi populli për një shekull okupim, me rrugën që ndoqën heronjtë tanë të luftës dhe paqes. Më 17 shkurt do të dëgjohet zëri ynë dhe do të shihet prania jonë e paparë. Çka do të bëjmë pas 17 Shkurtit? A do të heshtim para padrejtësisë? Më 17 shkurt do të kemi demonstrim të fort e jo të dhunshëm. Pas kësaj date, nuk guxojmë të heshtim, por, cilat mund të jenë metodat e protestës dhe si do të duhej të dukej kjo”, ka shtuar ai.

Ai ka thënë se pas kësaj proteste, mund të ketë tubime në shesh, të manifestojmë solidaritetin e plotë me heronjtë e luftës dhe paqes, me pankarta, me informim të trupit diplomatik për gabimet e deritashme të gjykimit, shpifjet e Serbisë dhe bashkëpunëtorëve të tyre, për shkeljen e të drejtave të njeriut, me grevë urie, konferencat për media me juristë dhe ekspertë me përgjigjen “Pse ky gjyq është i padrejtë – faktet”, madje edhe peticion me miliona nënshkrime për lirimin nga akuzat e shpifjet e Serbisë dhe bashkëpunëtorëve të saj.

“Disa nga këto veprime mund të jenë të vazhdueshme deri në lirimin e heronjve tanë të luftës dhe paqes, të dokumentuara dhe që dëshmojnë epërsinë morale të çështjes së Gjyqit të Hagës. Kosova dhe populli i saj ishin viktima të sulmit nga Serbia. Ky shtet ka kryer gjenocid me rreth 400 varreza masive. Edhe pas 17 Shkurtit, do dëshmuar se vërtetë qëndrojmë me heronjtë tanë të luftës dhe paqes, përgjithmonë, sepse, UÇK dhe ata janë vetë historia jonë që vazhdon në Republikën e Kosovës me vlerat euro-atlantike”, ka shtuar Lladrovci. /Lajmi.net/ 

Postimi i plotë: