Lladrovci fitoren pa balotazh e festoi edhe në Suedi – befasohet me një torte nga Agim Ademi dhe anëtarët e FFK-së
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka siguruar edhe një mandat katërvjeçar në krye të komunës, pasi fitoi pa balotazh në zgjedhjet lokale të mbajtura më 12 tetor. Fitorja e tij u vlerësua si konfirmim i mbështetjes së qytetarëve të Drenasit për qeverisjen e tij, transmeton lajmi.net. Vetëm një ditë pas zgjedhjeve, Lladrovci ka…

Lajme
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka siguruar edhe një mandat katërvjeçar në krye të komunës, pasi fitoi pa balotazh në zgjedhjet lokale të mbajtura më 12 tetor.
Fitorja e tij u vlerësua si konfirmim i mbështetjes së qytetarëve të Drenasit për qeverisjen e tij, transmeton lajmi.net.
Vetëm një ditë pas zgjedhjeve, Lladrovci ka udhëtuar drejt Suedisë, për të ndjekur dhe përkrahur kombëtaren e Kosovës në përballjen kundër Suedisë, e vlefshme për kualifikimet për Kampionatin Botëror 2026. Kosova arriti një fitore të madhe me rezultatin 0:1, duke befasuar vendasit në shtëpinë e tyre.
Në një postim, Lladrovci ka shpërndarë një moment simbolik me ëmbëlsirë festive në Suedi, të përgatitur nga kryetari i FFK-së, Agim Ademi dhe anëtarë të FFK-së, me dedikim për fitoren në Drenas dhe suksesin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Bashkë me Lladrovcin ishin humanisti, Halil Kastrati dhe ish-kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari.
“Befasi e këndshme në Suedi nga Agimi dhe anëtarët e FFK-së me ëmbëlsirën kushtuar fitores tonë në zemrën e Kosovës,” ka shkruar Lladrovci. “Fitorja bashkë me qytetarët kampionë në Drenas, është fitore motivuese, fitore të cilën e meriton i drejti, të përkushtuarit dhe qytetarët me integritet.”
Ai ka përgëzuar edhe futbollistët dhe stafin e kombëtares, duke thënë se gjuha e kampionit është edhe gjuha e tyre. “Faleminderit të gjithëve!” – përfundon mesazhin e tij Lladrovci./lajmi.net/