Listës Srpska do t’i konkurrojnë disa lista serbësh

Në zgjedhjet nacionale në Kosovë serbët nuk do të kenë një subjekt të vetëm politik, siç dëshironte Beogradi zyrtar. Kjo pasi, pos Listës Srpska, do t[ë jenë edhe disa subjekte tjera që do të tentojnë të marrin votat e zgjedhësve serbë. 

Lajme

18/05/2014 10:19

Ministri në largim i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq, para pak kohësh ka formuar Partinë e Progresit Demokratik dhe ka prezantuar listën e kandidatëve të saj për deputetë, shkruan gazeta Tribuna.

Sasha Gjokiq, një tjetër politikan serb, ka themeluar partinë Socialdemokrate dhe ia ka mësyrë zgjedhjeve. Një grup i ish deputetëve serbë në legjislaturat e kaluara të Kosovës, por që kishin dështuar të ishin në këtë të fundit, janë bërë bashkë, duke krijuar Koalicionin për Prosperitet Demokratik.

Pos Listës Srpska, edhe Partia Liberale e Pavarur, e zëvendëskryeministrit Sllobodan Petroviq është regjistruar si e vetme.

Megjithatë burime të afërta me këtë parti kanë shpjeguar për Tribunën se SLS tashmë është pjesë e Listës Srpska, mirëpo është regjistruar në KQZ me qëllim që të përdoret e drejta e pasjes së komisionarëve nëpër qendra të votimit.