Lista e LDK-së do të dorëzohet në KQZ pa emrin e Fatmir Sejdiut
Lidhja Demokratike e Kosovës, ka përpiluar listën e saj për deputetë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 8 qershorit, por aty nuk figuron emri i ish kryetarit të kësaj partie Fatmir Sejdiu.
Lajme
Kryetari Isa Mustafa, ka thënë se edhe Fatmir Sejdiut i kanë lënë vend të hapur në listë, por kjo do të vendoset pasi të bisedohet me të, kur ai të kthehet në Kosovë.
Ndërsa, siç ka mësuar lajmi.net, nga burime të afërta me ish presidentin Sejdiu, ai ndodhet në një vizitë në Vjenë, dhe nuk kthehet nga atje deri nesër.
Nga kjo del, se LDK do të detyrohet që listën e saj ta dorëzojë në KQZ, pa emrin e Sejdiut, pasi afati i fundit për dorëzimin e listave përfundon sot në ora 00:00.
Por pavarësisht kësaj, emri i Sejdiut, mund t’i bashkohet listës së LDK-së, pasi partitë mund t’i ndryshojnë listat e tyre, edhe një javë pas dorëzimit në KQZ.