Limaj: S’ka marrëveshje me Serbinë pa koordinim me SHBA-të

21:48 | 15 Maj 2019

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, ka thënë se Samitin e Berlinit e ka parë si mundësi për të zhbllokuar dialogun Kosovë- Serbi.

Ky samit, thotë Limaj ka qenë një mundësi e mirë për Kosovën të shpreh qëndrimet tona dhe të shprehim vullnetin e Kosovës për dialog, dialog pa kushte për të ardhur të një marrëveshje gjithëpërfshirëse e cila në qendër thotë Limaj e ka njohjen reciproke. Limaj ka qenë kritik për mënyrën se si është dialogur nga viti 2011. Ka thënë se Kosova nuk e shfrytëzoi momentumin e krijuar pas vendimit të GJND-së.

“Në atë kohe kemi negociu për emrin e vendit tonë. Është pranu me u negociu emërtimi pra është shkele Kushtetuta e vendit. Kemi ardhur në një moment kur Serbia i mohon krimet. Unë kam qenë kundër dialogut që po flas pa u përgatite. Nuk pranoj me u futë në një dialog pa pasur një agjende dhe pa përgatitje”, ka thënë Limaj.

Me dialog thotë Limaj është rehabilituar Serbia.

“Madje ajo ka kaluar në një ofensive diplomatikë. Serbia e ka shfrytëzuar maksimalisht dialogun. Sot kemi ardhur në një moment ku glorifikohen të dënuarit nga gjykata, drejtojnë paradat, struktura shtetërore është ajo që ka qenë në kohen e Millosheviqit”, ka shtuar Limaj.

Sa i përket prezantimit të Kosovës në dialog, Limaj ka thënë se Kuvendi e ka përcaktuar se kush dialogun në emër të Kosovës.

“Kur ka takime multilaterale është normale që të shkojnë drejtuesit e shtetit, por çfarëdo takimi që ka vetëm Kosovë- Serbi, Kuvendi e ka përcaktu kush negocion. Kjo nuk është çështje e vullnetit. Kuvendi e ka votu delegacionin në takimet bilaterale Kosovë- Serbi”, ka theksuar Limaj.

Më tutje, ai ka thënë se ende nuk është e qarta agjenda e takimit në Paris. “Asnjë marrëveshje nuk mund të arrihet pa një koordinim me SHBA-të. Ne nuk e përjashtojmë BE, por duam koordinim të ngushte mes miqve tanë”, ka shtuar Limaj.