Ligji për Zyrtarët Publikë nuk ishte anti-kushtetues, Gjykata Kushtetuese i jep dritën jeshile
Gjykata Kushtetuese i ka shpallur të pranueshme ankesat e deputetëve të PDK-së dhe të LDK-së kundër Ligjit për Zyrtarët Publikë. Por sipas njoftimit publik të Gjykatës Kushtetuese është vendosur njëzëri që Ligji për Zyrtarët Publikë nuk ka qenë në kundërshtim me Kushtetutën dhe kësisoj dërgohet tek presidentja Vjosa Osmani për shpallje, transmeton lajmi.net. I njëjti…

Lajme
Gjykata Kushtetuese i ka shpallur të pranueshme ankesat e deputetëve të PDK-së dhe të LDK-së kundër Ligjit për Zyrtarët Publikë.
Por sipas njoftimit publik të Gjykatës Kushtetuese është vendosur njëzëri që Ligji për Zyrtarët Publikë nuk ka qenë në kundërshtim me Kushtetutën dhe kësisoj dërgohet tek presidentja Vjosa Osmani për shpallje, transmeton lajmi.net.
I njëjti hyn në fuqi në ditën e publikimit në gazetën zyrtare.
Njoftimi i plotë:
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka vendosur lidhur me kërkesat e bashkuara në rastin KO222/24, me parashtrues: Arben Gashi dhe nëntë (9) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe KO224/24, me parashtrues: Isak Shabani dhe dhjetë (10) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të parashtruara në Gjykatën Kushtetuese bazuar në përcaktimet e paragrafit 5 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së paragrafëve 3, 4 dhe 5 të nenit 18 (Dispozitat kalimtare) të Ligjit nr.08/L-294 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publikë. Gjykata njëzëri (i) ka vendosur që të deklarojë kërkesat e pranueshme; (ii) të konstatojë që paragrafët 3, 4 dhe 5 të nenit 18 (Dispozitat kalimtare) të Ligjit nr.08/L-294 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publikë, nuk janë në kundërshtim me nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; si dhe (iii) të konstatojë që paragrafët 3, 4 dhe 5 të nenit 18 (Dispozitat kalimtare) të Ligjit nr.08/L-294 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publikë, nuk janë në kundërshtim me nenet: 3 [Barazia para Ligjit], 7 [Vlerat], 24 [Barazia para Ligjit], 32 [E Drejta për Mjete Juridike], 49 [E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit], 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] dhe 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Bazuar në konstatimet e mësipërme, Gjykata gjithashtu vendosi që (i) Ligji i kontestuar i dërgohet Presidentes së Republikës së Kosovës për shpallje; dhe (ii) të përcaktojë që Aktgjykimi hyn në fuqi në ditën e publikimit të tij në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.
Ashtu siç është sqaruar në Aktgjykim, thelbi i pretendimeve të parashtruesve të kërkesave ndërlidhet me shndërrimin e pozitave me mandat të pacaktuar në pozita me mandat të caktuar të nëpunësve civilë të nivelit drejtues të mesëm dhe të ulët, të caktuar përmes paragrafëve 3, 4 dhe 5 të nenit 18 (Dispozitat kalimtare) të Ligjit të kontestuar, në esencë, për shkak se, sipas tyre ky shndërrim: (i) bie në kundërshtim me “të drejtat e fituara”, dhe cenon “pritjet legjitime” të nëpunësve civilë në fjalë, të cilët kanë nënshkruar akt-emërime me afat të pacaktuar, duke cenuar të drejtën e tyre në pronë të garantuar më nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës; si dhe (ii) cenon marrëdhënien e tyre të punës të fituar në bazë të legjislacionit përkatës në fuqi, në kundërshtim me nenin 49 [E drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit] të Kushtetutës. Pretendimet e parashtruesve të kërkesës, në parim, u mbështetën nga Zyra e Rregullatorit për Energji, e cila nuk ishte identifikuar në listën e palëve të interesuara nga ana e Gjykatës por ka dorëzuar komentet e saj me vetë-iniciativë më 25 nëntor 2024, ndërsa, u kundër-argumentuan nga Kryeministri i Republikës së Kosovës./Lajmi.net/