​Lidhjet e vjehrrit të Radojçiqit me të akuzuarën për spiunazh, presidentja Osmani paralajmëron rrezik për sigurinë e Kosovës

Raportimet e fundit për spiunazh me të cilin po përballet Kosova, janë sinjal i rrezikut të madh, ka thënë të enjten presidentja e vendit, Vjosa Osmani. Burimet e KosovaPress kanë bërë të ditur se vjehrri i Milan Radojçiq, Seat Redzepagic, i cili është i punësuar ne OSBE, ka pasur raporte të afërta me të akuzuarën…

Lajme

11/09/2025 12:12

Raportimet e fundit për spiunazh me të cilin po përballet Kosova, janë sinjal i rrezikut të madh, ka thënë të enjten presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

Burimet e KosovaPress kanë bërë të ditur se vjehrri i Milan Radojçiq, Seat Redzepagic, i cili është i punësuar ne OSBE, ka pasur raporte të afërta me të akuzuarën për spiunazh, Jelena Gjukanoviq.

Në pyetjen e KosovaPress gjatë konferencës për media, Osmani shtoi se “ky është një alarm që secili duhet të rrisë vigjilencën dhe të sigurohet që veprimet mos t’i shkojnë për shtati atyre që nuk e duan shtetësinë e Kosovës”.

“Kjo me çka po përballemi sidomos viteve të fundit është një sinjal i rrezikut të madh. Unë e kam ngritur në çdo takim me organizatat ndërkombëtare, është e pafalshme që njerëz të tillë pa asnjë pastrim të sigurisë të depërtojnë në këto organizata ndërkombëtare për të rrezikuar sigurinë. Fakti që njëri prej tyre qenka vjehërr i Radojçiqit nuk e paskam ditur. Ka edhe të tjerë për të cilët vazhdimisht kemi ngritur alarm”, deklaroi ajo.

Vjehrri i terroristit Milan Radojçiq, Seat Redzepagic ka pasur raporte të afërta më të dyshuarën për spiunazh, Jelena Djukanoviq.

Burime të KosovaPress bëjnë të ditur se Redzepagic, i cili është i punësuar në OSBE, kishte udhëtuar këtë vit edhe në Ukrainë.