Lidhja e Shqiptarëve

Të shtunën në Prizren mbahet mbledhja e përbashkët qeveritare Kosovë-Shqipëri. Publicisti Kim Mehmeti thotë se nuk ka asgjë anti-europiane që shqiptarët të bëjnë së pari integrimin brenda vetvetes, para integrimit në Bashkimin Europian.

Lajme

09/01/2014 20:28

Edi Rama dhe Hashim Thaçi do t’i ulin ministrat e tyre përballë njëri-tjetrit, në takimin e parë të përbashkët të Qeverive, të shtunën në qytetin e Prizrenit.

Të dy Kryeministrat do të nisin kështu një traditë të re të bashkëpunimit mes dy Qeverive, me synim largimin e barrierave ekonomike e tregtare që shpesh ishin prezente dhe pengesa për shkëmbimet tregtare mes dy shteteve.

Në takim do të diskutohet edhe për thellimin e bashkëpunimit në fusha të tjera, siç është ajo e integrimeve europiane.

Por, ka debate edhe për simbolikën e këtij takimi. Që ai do të bëhet sa për kamera dhe kaq.

Në këtë takim bëhet e ditur se do nënshkruhen marrëveshje bashkëpunimi dhe partneriteti mes dy Qeverive. Pritet që fillimisht të nënshkruhet dokumenti për partneritet strategjik, pastaj marrëveshja në fushat e transportit dhe infrastrukturës, si dhe thellim të bashkëpunimit në fushën e integrimit europian.

Në fokus të takimit do të jenë edhe dy projekte për Preshevën. Një për bashkëfinancim për pajisjet mjekësore në maternitetin e Preshevës, si dhe të një fondi zhvillimor për Luginën e Preshevës.

Analisti shqiptar nga Shkupi, Kim Mehmeti, thotë për lajmi.net se një takim i tillë është i mirëseardhur për shqiptarët. Sipas tij, s’ka asgjë anti-europiane që nga një takim i tillë të dalë, për shembull, një ‘Kuvend mbarëkombëtar’, i cili do të hartonte projekte mbarëshqiptare nga lëmi i Arsimit, Kulturës dhe Ekonomisë.

Por, a paraqet ky takim ngjyrime nacionaliste, të Bashkimit Kombëtar.

Publicisti Kim Mehmeti thotë se nuk ka asgjë anti-europiane që shqiptarët të bëjnë së pari integrimin brenda vetvetes, para integrimit në Bashkimin Europian.

“Është marrëzi e iluzion të flitett për Bashkim Kombëtar, përderisa kemi dy shtete shqiptare, të cilat vlerësohen si më të korruptuarat dhe më të pa konsoliduarat në rajon”, thotë Kim Mehmeti në intervistë për lajmi.net.

Lajmi.net: Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë të shtunën mbajnë mbledhjen e përbashkët në qytetin e Prizrenit. Si e shihni ju këtë takim?

Kim Mehmeti: Gjithsesi se takimet e tilla janë të mira dhe sjellin një frymë të re të bashkëpunimit, do të thosha në mes të Shqipërive tona, dhe ato si të tilla ndoshta janë edhe të vonuara. Pra, nuk shtrohet pyetja se a duhet të ndodhin ato, pasi gjithsesi ka nevojë për takime të tilla.

Unë mendoj se ne shqiptarët aq jemi të përqendruar në integrimin e BE’së përderisa nuk e shohim se nuk kemi filluar integrimin brenda vetvetes. Kush na pengon neve apo çfarë është anti-europiane që të kemi, për shembull, një ‘Kuvend mbarëkombëtar’, që të hartohen projekte mbarëshqiptare nga lëmi i Arsimit, Kulturës dhe Ekonomisë. Kështu që, unë këtë mbledhje të përbashkët e shoh nga ky këndvështrim.

Lajmi.net: Çka përfitojnë Kosova dhe Shqipëria nga këto takime?

Kim Mehmeti: Kosova dhe Shqipëria do të përfitojnë në aspektin e drejtpërdrejtë, do të përfitojë mbarë shqiptaria. Shpresoj se në bazë të kësaj do të ketë projekte të përbashkëta, në anën tjetër duhett ë ketë edhe një strategji të përbashkët se si të veprohet kur janë në pyetje shqiptarët në Luginën e Preshevës, në Malin e Zi. Ka çështje për të cilat duhet të ketë projekte mbarëkombëtare dhe nuk mund të shkojmë ne të copëtuar në atë Europë ku po e synojmë të gjithë.

Lajmi.net: Takimet e tilla mes dy Qeverive, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë, sipas jush, a përmbajnë ngjyrim të Bashkimit Kombëtar apo janë më shumë takime simbolike?

Kim Mehmeti: Bashkimi Kombëtar nuk do të varet gjithaq sa janë të disponuar elitat tona politike. Ka një proces që është i natyrshëm. Ai i natyrshëm është procesi Bashkimit Kombëtar dhe ai do të vijë. Tani, se cila mund të jetë rruga, nga do të shkohet, atë ndonjëherë e imponon vetë procesi. Ka disa procese që mund t`i ngadalësoni dhe mund t`i pengoni që të realizohen.

Është marrëzi të flitet, është iluzion të flitet, për Bashkim Kombëtar, kur kemi dy shtete shqiptare të cilat vlerësohen si më të korruptuarat dhe më të pa konsoliduarat. Para se të fillojmë ne të bisedojmë Si dhe Ku lidhur me Bashkimin Kombëtar, ne duhet të ndërtojmë një Shqipëri të qëndrueshme, një Kosovë me institucione të mirëfillta shtetërore dhe pastaj vjen biseda tjetër, e bisedës tjetër.

E kam përsëritur shpesh se shqiptarët një herë duhet të ulen dhe t`i bashkojnë kokat, pastaj të flitet për tokat.

Unë me bashkim kokash nuk nënkuptoj kënaqësi, por kuptoj ballafaqim mendimesh, ballafaqim idesh dhe shqiptarët ende nuk e kanë filluar këtë bisedë. Shqiptarët ende si në Shqipëri, si në Kosovë, merren me debate të kota për atë, merren me acarim të situatës dhe mos të them edhe me përçarje të shqiptarëve.

Lajmi.net: A duhet ta kenë shqiptarë në rajon një Këshill të Përbashkët joformal për t`i diskutuar problemet me të cilat përballen dhe ku do të përfshiheshin edhe shqiptarët që jetojnë në Maqedoni, Mal të Zi dhe Luginë të Preshevës?

Kim Mehmeti: Jo tani, por ka shumë vite që unë e përsëris se shqiptarët askush nuk i pengon që të kenë Këshille të Përbashkëta edhe mbarëkombëtare ku do të merren dhe ku do të hartohen projekte mbarëkombëtare.

Kjo nuk është as ide anti-europiane, as nuk e destabilizon rajonin, por natyrshëm sjell deri tek diçka që duhet të pengohet që ta kemi a jo tani.

Atë që e thashë më parë: ‘Një Kuvend Mbarëkombëtar’, i cili do të hartojë edhe politika mbarëkombëtare, edhe projekte nga lëmi të ndryshme mbarëkombëtare, sepse ne kështu funksionojmë të çakorduar të flasim për ndonjë bashkim me Europën pa kufij.

Kush do të na ofrojë neve në atë Europën pa kufij, kur ne edhe letërsinë e kemi të ndarë në aq shtete sa jetojnë shqiptarët, kur edhe kulturën e kemi të ndarë në aq shtete sa jetojnë shqiptarët, kur edhe sportin edhe ekonominë. Kjo gjithsesi nuk është në rregull dhe gjithsesi se kështu nuk europianizohemi.