​Liderët fetarë kërkojnë respekt dhe përgjegjësi gjatë fushatës zgjedhore

Udhëheqësit e pesë bashkësive fetare në Kosovë kanë dalë me një deklaratë të përbashkët, duke bërë thirrje për respekt, përgjegjësi dhe ruajtje të paqes shoqërore gjatë periudhës zgjedhore. Në deklaratën e nënshkruar nga Bashkësia Islame e Kosovës, Kisha Ortodokse Serbe, Kisha Katolike, Kisha Protestante Ungjillore dhe Bashkësia Hebraike, theksohet rëndësia e vlerave demokratike dhe nevoja…

Lajme

29/05/2026 08:51

Udhëheqësit e pesë bashkësive fetare në Kosovë kanë dalë me një deklaratë të përbashkët, duke bërë thirrje për respekt, përgjegjësi dhe ruajtje të paqes shoqërore gjatë periudhës zgjedhore.

Në deklaratën e nënshkruar nga Bashkësia Islame e Kosovës, Kisha Ortodokse Serbe, Kisha Katolike, Kisha Protestante Ungjillore dhe Bashkësia Hebraike, theksohet rëndësia e vlerave demokratike dhe nevoja për një klimë publike të përgjegjshme.

Udhëheqësit fetarë kërkojnë përdorimin e një gjuhe të respektueshme në debatin publik, duke kundërshtuar fyerjet, poshtërimet dhe sulmet personale. Ata bëjnë thirrje edhe për respekt të plotë ndaj grave dhe vajzave, duke dënuar gjuhën seksiste dhe stereotipet e dëmshme gjinore.

Po ashtu, deklarata kërkon refuzimin e gjuhës së urrejtjes, kërcënimeve dhe nxitjes së dhunës, si dhe respektimin e diversitetit etnik, fetar e shoqëror.

Përfaqësuesit fetarë kanë vënë theksin edhe te rëndësia e ndershmërisë dhe saktësisë në komunikimin publik, duke kërkuar luftimin e dezinformimit dhe manipulimit, si dhe respektimin e ligjit dhe standardeve demokratike.

Në dokument kërkohet gjithashtu sjellje etike në media dhe rrjetet sociale, me fokus në parandalimin e bullizmit, abuzimit online dhe gjuhës poshtëruese.

“Fjalët kanë rëndësi. Ato formësojnë sjelljen. Ato ndajnë ose bashkojnë. I bëjmë thirrje të gjithëve në jetën publike të zgjedhin respektin, të vërtetën dhe përgjegjësinë”, thuhet në deklaratë.