Letër ministrit të Shëndetësisë, Imet Rrahmani

Bordi Qendror i Edukimit të Vazhdueshëm Mjekësor në Ministrinë e Shëndetësisë po dëmton profesionistët shëndetësorë, imazhin e projekteve dhe të vet Organizatës për Arsim, Shkencë dhe Shëndetësi “KISCOMS”, thotë drejtori ekzekutiv i Organizatës për Arsim, Shkencë dhe Shëndetësi “KISCOMS”, Xheladin Ujkani. Ankesat e tij të shprehura përmes një letre të hapur drejtuar ministrit Imet Rrahmani, mund ta lexoni të plotë më poshtë.

Lajme

24/05/2017 17:34

“I nderuar Z. Ministër i Shëndetësisë në detyrë, Dr. Imet Rrahmani,

Përmes kësaj shkrese, ju njoftojmë se në dy javët e para të muajit maj 2017, Organizata për Arsim, Shkencë dhe Shëndetësi “KISCOMS”, ka realizuar tre projekte ndërkombëtare shkencore, si: Simpoziumin e parë Ndërkombëtar “Dita e Mamive”, Kongresin e VII-të Ndërkombëtar për Shkenca Mjekësore si dhe Simpoziumin e parë Ndërkombëtar “Dita e Infermierëve”. Në muajin mars kemi realizuar Simpoziumin e parë Ndërkombëtar “Dita e Dentistëve”, ndërsa jemi në fazën e përgatitjeve finale për programin dhe përmbajtjen e dy projekteve tona të muajit shtator, Simpoziumin e parë Ndërkombëtar “Dita e Fizioterapeutëve” dhe Simpoziumin e parë Ndërkombëtar “Dita e Farmacistëve”Kongresi i shtatë ndërkombëtar për shkenca mjekësore, kishte për qëllim stimulimin dhe ngritjen e vetëdijes dhe interesimit të studentëve dhe profesionistëve të shkencave mjekësore, mbi rëndësinë e punës, projekteve e hulumtimeve shkencore, ndërsa simpoziumet kishin për qëllim edukimin e vazhdueshëm profesional të profesionistëve shëndetësorë, duke mundësuar akumulimin e kredive të nevojshme për licencim dhe rilicencim.

Në këto tre projekte ishin të përfshirë në organizim mbi 150 mësimdhënës, profesionistë dhe studentë të shkencave mjekësore nga SHSKUK- Shërbimi Spitlor Klinik Universitar, të gjitha Spitalet regjionale si dhe nga Universiteti i Prishtinës „Hasan Prishtina“, Universiteti i Gjakovës “Fehmi Agani”, Kolegji „Universi“, Kolegji e Shkencave Mjekësore „Rezonanca“, Kolegji „Fama“ si dhe Akademia e Nutricionit dhe Dietologjisë. Po ashtu, në bashkëpunim, në realizimin e Simpoziumit të parë Ndërkombëtar “Dita e Mamive” janë edhe Zyra e UNFPA-së në Prishtinë si dhe Institucioni i Avokatit të Popullit.

Deri në vitin e kaluar, vitin 2016, kongresi ndërkombëtar për shkenca mjekësore ka qenë i akredituar në vazhdimësi nga Bordi i EVM- MSH-së, ndërsa këtë vit, me ardhjen e gjashtë projekteve të reja shkencore të Organizatës për Arsim, Shkencë dhe Shëndetësi “KISCOMS”, shihet një tendencë e hapur e Bordit Qëndror të EVM-Edukimit të Vazhdueshëm Mjekësor i MSH-së për të dëmtuar imazhin e projekteve, të organizatës, por edhe të vet drejtuesve të organizatës dhe të projekteve përkatëse. Normalisht, të dëmtuar këtu janë edhe mijëra profesionistë të shkencave mjekësore, pjesëmarrës në projektet e “KISCOMS”.

I nderuar Z. Ministër, kjo për ne është e papranueshme. Është e paparanueshme për faktin se jemi e vetmja organizatë që realizojmë aktivitete ndërkombëtare shkencore për studentët dhe profesionistët shëndetësorë që nga viti 2008. Kongresi i parë i realizuar në vitin 2008 nën kujdesin e Ish-Rektorit të Universitetit të Prishtinës, Prof. Enver Hasani, ka qenë projekti i parë shkencor i këtij formati i realizuar në nivel vendi dhe pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Në vitin 2010, në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, në prani të mbi 3000 studentëve e profesionistëve të shkencave mjekësore nga të gjitha trevat shqipëtare kemi mbajtur hapjen solemne të kongresit të dytë me radhë dhe nën kujdesin e Ish-Kryeministrit Dr. Sali Berisha dhe të Ish-Rektorit të Universitetit të Tiranës, Prof. Dhori Kule. Ka qenë hera e parë ku studentë e profesionistë nga vende të ndryshme shqipfolëse janë takuar dhe janë njoftuar mes vete.

Në vitin 2012, kongresin e tretë e kemi vazhduar në Sallën Universale në Shkup nën kujdesin e Ish-Zv.Kryeministrit Z. Musa Xhaferi dhe të Ish-Rektorit të Universitetit Shtetëror të Tetovës, të ndjerit, Prof. Agron Reka. Kongresi i katërt dhe të tjerët në vazhdim janë realizuar në Kosovë. Nga viti 2008 e deri me tani, janë prezantuar mbi 350 punime e hulumtime shkencore dhe kanë marrë pjesë në shtatë kongrese mbi 4 mijë studentë e profesionistë të shkencave mjekësore. Sot, pjesa dërmuese e autorëve dhe bashkëautorëve të prezantimeve të para të tyre në kongreset tona, janë pjesë e stafit akademik në shumë Universitete e Kolegje, por edhe aktiv me publikime në aktivitete dhe në revista të respektuara ndërkombëtare. Ne, deri me tani, me punë e projekte e kemi arsyetuar qëllimin e themelimit dhe funksionimit të Organizatës për Arsim, Shkencë dhe Shëndetësi “KISCOMS”. Në çdo raport vendor e ndërkombëtar për arsimin, shëndetësinë dhe shkencën, përmenden projektet e “KISCOMS”.Tani, të rikthehemi tek projektet e mësipërme shkencore e profesionale të Organizatës për Arsim, Shkencë dhe Shëndetësi “KISCOMS”., si dhe te projekti i Ministrisë së Shëndetësisë për licencim dhe rilicencim të profesionistëve shëndetësorë:

1) Në muajin korrik të vitit të kaluar (vitit 2016), për herë të parë pas luftës, ka filluar rilicencimi i profesionistëve shëndetësorë, proces që ka sjellur shumë stres e shumë probleme tek të gjithë ne, pa përjashtime. Ministria e Shëndetësisë ka kërkuar që të gjithë profesionistët shëndetësorë të cilët deri në fund të muajit qershor të këtij viti (vitit 2017) mbushin 5vite nga koha e marrjes së licencës, duke përfshirë këtu edhe mijëra infermierë me shkollë të mesme e të cilët janë të punësuar në institucione shëndetësore e të cilët ndërkohë janë edhe studentë në Universitetet publike e Kolegjet private, duhet të grumbullojnë 100 kredi për t’u rilicencuar, të cilat kredi mirren nga aktivetet edukuese, promovuese, hulumtuese e shkencore, qoftë si pjesëmarrës pasiv, qoftë si pjesëmarrës aktiv (me prezantime shkencore- orale dhe poster). Në këto momente, për të ndihmuar projektin e rilicencimit të profesionistëve shëndetësorë të promovuar e lansuar nga MSH, ka ardhur në shprehje përvoja e “KISCOMS”.

2) Duke parë mungesën e aktiviteteve të tilla profesionale e shkencore, në muajin korrik-gusht të vitit të kaluar (vitit 2016), Organizata për Arsim, Shkencë dhe Shëndetësi “KISCOMS”, falë përvojës e bashkëpunëtorëve të shumtë, fillon përgatitjen për realizimin e 6 projekteve të reja shkencore, përveq kongresit që tashmë u mbajt për herën e shtatë. Brenda muajve korrik-dhjetor 2016, projektet e “KISCOMS”, edhe me ndihmën e mediave, bëhen projektet më të promovuara e më të kërkuara nga profesionistët shëndetësorë. Këto projekte aq të rëndësishme për rilicencimin e profesionistëve shëndetësorë, fatkeqësisht po pengohen nga ana e Bordit Qëndrorë të EVM-Edukimit të Vazhdueshëm Mjekësor i MSH-së, të cilin nga viti 2016-të e kryeson Dr. Musa Qazimi, Kirurg Oral, nga Gjilani. Ky bord është krijuar për të ndihmuar projekte dhe iniciativa të tilla e jo për ti penguar e dëmtuar.

3) Në muajin shkurt, është refuzuar akreditimi i Simpoziumit të parë Ndërkombëtar “Dita e Dentistëve”, një projekt, në të cilin kemi investuar shumë. Ende kanë mbetur pa Çertifikata mbi 150 laborantë dentarë, teknikë e infermierë të Stomatologjisë, vetëm shkaku i një vendimi dhe arsyetimi të panevojshëm, të papranueshëm e të paargumentueshëm të Bordit të EVM- MSH-së, ku si arsyetim paraqet se, citoj : “Ky Bord, pra EVM, nuk është kompetent për akreditim të studentëve dhe ne nuk jemi përgjegjës të akreditojmë akivitete të cilat kanë përfunduar”. Pra, mbledhjen e mbajnë vetëm një ditë pas mbajtjes së aktivitetit me qëllim që ta refuzojnë akreditimin, ta dëmtojnë projektin dhe organizatën, si dhe mbi 150 pjesëmarrës, laborantë dentarë, teknikë e infermierë të Stomatologjisë. E logjikshme është se studentëve nuk ju duhen kreditët, por aktiviteti mbahet edhe me pjesëmarrje të studentëve të cilët mund të jenë në marëdhënie pune, por edhe ne studime themelore- bachelor.

4) E njëjta gjë ka ndodhur edhe në fillim të muajit prill, me tre projektet ndërkombëtare shkencore, si: Simpoziumi i parë Ndërkombëtar “Dita e Mamive”, Kongresi i VII-të Ndërkombëtar për Shkenca Mjekësore si dhe Simpoziumi i parë Ndërkombëtar “Dita e Infermierëve”. Fillimisht, nuk e fusin fare për shqyrtim në mbledhjen e Bordit të EVM- MSH-së me arsyetimin se kishte shumë lëndë dhe nuk kishte mundësi të procedohet edhe lënda me kërkesat e “KISCOMS”, pastaj pas 3 jave, nuk e akreditojnë, me arsyetimin, rekomandimin, si në vijim : “Të ndahet pjesa e profesionistëve shëndetësorë (mjekëve), nga pjesëmarrësit studentë, në mënyrë që të akreditohet dhe sponsorizohet aktiviteti, ndryshe EVM nuk është kompetent për akreditim të studentëve”. Organizata për Arsim, Shkencë dhe Shëndetësi “KISCOMS”, ka kërkuar akreditim të aktiviteteve ku grup i fokusit janë Mamitë dhe studentët e drejtimit të Mamisë, Infermierët dhe studentët e drejtimit të Infermierisë, si dhe Profesionistët dhe studentët e shkencave mjekësore. Në të trija projektet marrin pjesë edhe studentë që janë në marrëdhënie pune në Institucionet publike shëndetësore, por që ndërkohë kanë regjistruar edhe studimet themelore- bachelor, qoftë në Universitetet publike, qoftë në Kolegjet private. Pra arsyetimi i Bordit të EVM- MSH-së ishte i paargumentueshëm, i papranueshëm dhe tendencioz. Mirëpo, meqenëse kishin kërkuar të ndahet pjesa e profesionistëve nga studentët, ne vepruam ashtu siq u kërkua. E ridërguam sërish dokumentacionin e kompletuarpara me datën 3 maj 2017, dy ditë para mbajtjes së simpoziumit të parë Ndërkombëtar “Dita e Mamive”. Nga kjo kohë kanë kaluar tri javë dhe nuk është përfunduar lënda dhe akreditimi i projekteve të Organizatës për Arsim, Shkencë dhe Shëndetësi “KISCOMS”.

5) Duke i parë tendencat e tilla të Bordit të EVM- MSH-së dhe për të parandaluar dëmtimin e projekteve tona, i nderuar Z. Ministër, ne qysh në muajin janar-shkurt ju kemi kërkuar takim me strukturat drejtuese të projekteve, mirpo, fatkeqësisht, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Nga ardhja juaj në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, megjithë ftesat e vazhdueshme dhe respektin që kemi treguar për ju dhe pozitën tuaj, ju në asnjë nga projektet tona nuk keni qenë të pranishëm. Takimin e vetëm që keni pasur me strukturat tona, ka qenë takimi i datës 4 maj, ditë e enjtë, në orën 10:00, me njërën nga anëtaret e respektuara të Këshillit Organizativ të projekteve tona, ku me këtë rast, ju keni reaguar me shpejtësi duke kërkuar sqarime nga Kryetari i Bordit të EVM- MSH-së, Dr. Musa Qazimi, për mos-procedimin e lëndëve të Organizatës për Arsim, Shkencë dhe Shëndetësi “KISCOMS”. Në bisedën që keni pasur me Kryetarin e Bordit, nga ai keni marrë premtime që projektet e “KISCOMS” do të akreditohen javën që vjen, ditën e mërkurë, me datën 10 maj 2017. Veq kësaj, Kryetari i Bordit, po në bisedën që keni pasur, ka kërkuar që Çertifikatat t’i sjellën për nënshkrim pikërisht ditën kur është planifikuar akreditimi. Nga kjo bisedë, në drejtimin tonë është përcjellur informata që ne si organizatë duhet t’i njoftojmë pjesëmarrësit për ditën se kur Çertifikatat do të jenë gati dhe të akredituara me 15 kredi për pjesëmarrësit pasiv dhe 20 kredi për pjesëmarrësit aktiv. Ne e kemi përcjellur informatën përveq rrjeteve sociale e web-faqës së “KISCOMS”, edhe përmes mediave, për çka ne kemi hasur në mirëkuptim të plotë. Ne i njoftuam pjesëmarrësit se Çertifikatat, pasi të nënshkruhen me datën 10 maj, do të shpërndahen me datën 12 Maj, në Ditën e Infermierëve, në Simpoziumin e parë Ndërkombëtar “Dita e Infermierëve”.

6) Me datën 10 Maj, pikërisht kur kishte kërkuar Kryetari i Bordit, ne i dërguam Çertifikatat për nënshkrim dhe në momentin që kemi hyrë në zyrë dhe i ka parë Çertifikatat, menjëhere na u është drejtuar me fjalët, Citoj: “Kush ju tha mi vendos 15 dhe 20 kredi në Çertifikata”?, “Kush ju tha me shkru ECTS” ?, “Këto Çertifikata merrni nga këtu”, duke vazhduar më tutje se, “Sot nuk ka kuorum për akreditim” dhe duhet pritur mbledhjen e radhës. I nderuar Z. Ministër, sot janë bërë dy javë dhe ne ende nuk kemi asnjë informatë se kur do të nënshkruhen Çertifikatat për pjesëmarrësit e projekteve tona. I nderuar Z. Ministër, janë qindra mesazhe në rrjetet sociale e në emailet zyrtare të Organizatës për Arsim, Shkencë dhe Shëndetësi “KISCOMS” dhe të stafit organizues nga reagimet me të drejtë të pjesëmarrësve. Fatkeqësisht, pjesa më e madhe e tyre janë ofenduese-fyese ndaj stafit dhe organizatës, deri në kërcnime serioze për qerim hesapesh me force, me dhunë. Pavarësisht gjithë këtyre reagimeve, ne ju kemi kursyer dhe nuk kemi dashur që të kërkojmë ndërhyrjen tuaj. Kjo shtyerje, ka zbehur në masë të madhe edhe interesimin e profesionistëve dhe studentëve për pjesëmarrje në aktivitetet tona. Bordi i EVM- MSH-së, vetëm sa e ka dëmtuar Organizatën për Arsim, Shkencë dhe Shëndetësi “KISCOMS”.

I nderuar Z. Ministër, ne respektojmë Institucionet tona dhe nuk duam të kemi diskutime e takime për problematika të tilla, mirpo tani është koha që ju të tregoni dhe shfrytëzoni autoritetin tuaj për të kërkuar nga Kryetari i Bordit të EVM- MSH-së, Dr. Musa Qazimi, përfundimin e këtij procesi që pjesëmarrësit dhe neve si organizatë na ka dëmtuar rëndë.Ne respektojmë pozitën tuaj dhe ju si minister dhe presim që ky problem të zgjidhet nga ana juaj, brenda Ministrisë së Shëndetësisë. Për këtë, kërkojmë edhe një takim urgjent me ju !Për punën dhe ecurinë e projekteve të realizuara të Organizatës për Arsim, Shkencë dhe Shëndetësi “KISCOMS”, keni informata të mjaftueshme dhe shumë lehtë të verifikueshme, si në Web, google, rrjete sociale, po ashtu edhe në Youtube: https://www.youtube.com/ch…/UCOzl0Kxnif2J4iHR-IDhTGg/videos…

Krejt në fund, meqenëse jemi në kohë zgjedhjesh dhe ju jeni kandidat për deputet, ne ju urojmë fat e suksese në garë.

P.S. Kjo shkresë, kjo kërkesë, për shkak të korrektësisë në raport me kolegët tanë, profesionistët dhe studentët e shkencave mjekësore, do të publikohet edhe në web-faqe dhe në grupet-rrjetet sociale të projekteve përkatëse. Po ashtu, e njëjta, përveq dërgimit në formë elektronike, do të protokollohet edhe në akrivën e Ministrisë së Shëndetësisë, sot, ditë e mërkurë, datë 24 Maj 2017” (sic.)