Lëreni historinë të flasë
Në Kosovë kanë ndodhur aq tepër ndryshime në jetën tonë politiko-shtetërore saqë mund të konsiderohen epokale. Megjithatë, historia dhe faktet e saj është vështirë të vlerësohen e publikohen kaq herët, kur protagonistët e saj janë ende veprues dhe subjektivisht të interesuar për miratimin apo kundërshtimin e tyre.

Opinion
Ka kohë që në mediet tona dhe në ato të Republikës së Shqipërisë po parashtrohen “fakte historike” për luftën çlirimtare të Kosovës dhe po polemizohet rreth tyre. E konsideroj të panevojshme të flas, se si filloi dhe si denigroi, përmes ndonjë shkrimi, deri në fyerje, kjo polemikë. Por kam mendimin që shkaku i vërtetë i kësaj përplasjeje mediatike nuk janë autorët e veçantë, por faktet e shpallura, që evidentojnë rolin vendimtar të UÇK-së në çlirimin e Kosovës. Këto të vërteta që u deklaruan, ndoshta në një moment kohor dhe situatë politike kombëtare e ndërkombëtare jo shumë të përshtatshme, krijuan një pështjellim qëndrimesh mediatike e politike mes nesh dhe u keqinterpretuan nga drejtues të lartë të LDK-së. Mendoj se të vërtetat që vinin në dukje rolin e UÇK-së në çlirimin e vendit nuk u publikuan kurrsesi për të vënë në konkurrencë atë me rolin e LDK-së për luftën dhe gjatë luftës çlirimtare. Dihet roli dhe ecuria historike e partisë së parë shqiptare në Kosovë. Si e tillë, e njohur në mbarë Kosovën dhe nga mbarë faktori ndërkombëtar, LDK-ja e udhëhequr nga Rugova, ishte aktori dhe faktori i pranishëm dhe i pashmangshëm në zhvillimin dhe përfundimin e luftës çlirimtare nga Serbia. Në përpjekjet për lirinë e Kosovës të gjithë bashkëkombësit tanë, që e quajnë veten shqiptarë, kanë kontribuuar, qoftë edhe përmes mbështetjes morale, në arritjen e saj. Liria që gëzojmë është produkt i mbarë shqiptarëve në Kosovë dhe nga mbarë shqiptarët në Ballkan, në Evropë, SHBA etj.
Jemi të lirë dhe të pavarur, jo për kontribute të veçuara organizatash, lëvizjesh politike apo emra personalitetesh. Liria është arritur jashtë kornizave politiko-partiake. Jemi siç jemi aktualisht, falë shqiptarizmës, që ka qenë, është dhe do të sundojë si ndjenjë, mentalitet dhe ndërgjegje kombëtare. Identiteti kombëtar i sunduar dhe i nëpërkëmbur nga Serbia, mbajti vazhdimisht gjallë kundërshtimin e shqiptarëve ndaj pushtuesve, që kulmoi dhe u kurorëzua me Luftën e UÇK-së, të mbështetur fuqishëm nga NATO-ja. Aktualisht Kosova po përballet me probleme të mëdha që kërkojnë zgjidhe nga faktori politik i saj. Jemi njohur zyrtarisht deri tani nga mbi 100 shtete, por ende Kosova nuk është anëtare e OKB-së. Po presim njohjen zyrtare nga 5- anëtarë të BE-së, po presim firmosjen e Marrëveshjes së Asocim Stabilizimit, po presim liberalizimin e vizave, po vazhdojmë bisedimet në Bruksel për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe së fundi për krijimin dhe vënien në funksion të Gjykatës Speciale.
Lufta e UÇK-së, me mbështetjen vendimtare të NATO-s, ia arriti objektivit; arriti çlirimin e Kosovës nga Serbia. Kjo arritje, aspiratë gati 100 vjeçare e çdo shqiptari në trojet tona, i hapi rrugë krijimit të shtetit të pavarur të Kosovës; pluralizmit demokratik, konkurrencës përmes votës së lirë për marrjen e pushtetit. Strukturat e UÇK-së jo vetëm u gjendën të papërgatitura për këtë fazë, por as e kishin shkuar nëpër mend garimin e organizuar politik për drejtimin e qeverisjes së Kosovës së lirë, prandaj dhe humben në zgjedhjet e para pluraliste. Kjo është arsyeja që në këtë garë fitoi LDK-ja, që ishte parti me përvojë dhe me struktura të formuara efektive.
Në Kosovë kanë ndodhur aq tepër ndryshime në jetën tonë politiko-shtetërore saqë mund të konsiderohen epokale. Megjithatë, historia dhe faktet e saj është vështirë të vlerësohen e publikohen kaq herët, kur protagonistët e saj janë ende veprues dhe subjektivisht të interesuar për miratimin apo kundërshtimin e tyre. Faktet konkrete historike kërkohen të shfrytëzohen nga studiuesit e fushës, kurse vlerësimin e ngjarjes apo periudhës të cilës i përkasin, e bën opinioni mbarëshqiptar në Kosovë, i cili qysh nga 2007-ta dëshmoi me votë duke votuar për të tretën herë PDK-në. Si forcë fituese politike, PDK-ja njeh, vlerëson dhe vazhdon të besojë në kontributin e saj në shërbim të fitorës së lirisë, ndërtimit të shtetit e funksionimit të demokracisë. Fakti historik është vlerë dhe si i tillë duhet ruajtur dhe përdorur me shumë kujdes. Historia e ka tepër të nevojshme e të detyrueshme kohën e mjaftueshme për afirmimin dhe konfirmimin e fakteve. Le t’iu lëmë kohë historianëve të bëjnë historinë.
(Autori është deputet i PDK-së, njëherësh nënkryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës)