Lekaj për pretendimet e VV-së se është konstituar Kuvendi: Manovër politike e Kurtit, nuk është respektuar Kushtetuta

Ish-deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në Kuvendin e Kosovës, duke e quajtur të paplotë dhe të kontestueshëm procesin e konstituimit të tij. Në një prononcim për lajmi.net, Lekaj ka theksuar se Kushtetuta e Kosovës kërkon qartazi që konstituimi i Kuvendit të ndodhë vetëm pas…

Lajme

02/09/2025 18:49

Ish-deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në Kuvendin e Kosovës, duke e quajtur të paplotë dhe të kontestueshëm procesin e konstituimit të tij.

Në një prononcim për lajmi.net, Lekaj ka theksuar se Kushtetuta e Kosovës kërkon qartazi që konstituimi i Kuvendit të ndodhë vetëm pas zgjedhjes së kryetarit dhe të gjithë nënkryetarëve, përfshirë përfaqësuesit nga komuniteti serb dhe komunitetet tjera jo-shumicë.

“Çfarë ndodhi në seancë nuk është konstituim i plotë i Kuvendit, por një manovër politike e Kurtit për ta paraqitur procesin si të mbyllur, edhe pse nuk është respektuar dispozita kushtetuese,” u shpreh Lekaj.

Ai shtoi se veprime të tilla përbëjnë precedent të rrezikshëm për funksionimin demokratik të institucioneve dhe për respektimin e rendit kushtetues në vend.

“Qeveria dhe partia në pushtet po krijojnë precedent të rrezikshëm: në vend që të respektojnë frymën e Kushtetutës, po e përdorin atë në mënyrë selektive për interesa të ngushta politike,” tha Lekaj për lajmi.net.

Reagimi i tij vjen pas deklaratave të kryetarit të sapozgjedhur të Kuvendit, deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, i cili ka pretenduar se Kuvendi është konstituar me sukses, pavarësisht dështimit për të zgjedhur nënkryetarin nga radhët e komunitetit serb.

Zhvillimet në Kuvend kanë ngjallur debat të gjerë politik dhe kushtetues, ndërsa pritet që të kërkohen sqarime ligjore lidhur me validitetin e konstituimit të organit më të lartë ligjvënës në vend./lajmi.net/