Lekaj: Jemi më afër zgjedhjeve të reja për shkak të paaftësisë së Qeverisë

Kuvendi i Kosovës ka dështuar për herë të 45-të të konstituohet, pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese që ky proces të përfundojë brenda 30 ditësh. Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, vazhdon të insistojë në kandidaturën e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit – emër që nuk po gjen përkrahje nga partitë opozitare.…

Lajme

12/07/2025 16:45

Kuvendi i Kosovës ka dështuar për herë të 45-të të konstituohet, pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese që ky proces të përfundojë brenda 30 ditësh. Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, vazhdon të insistojë në kandidaturën e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit – emër që nuk po gjen përkrahje nga partitë opozitare.

Në lidhje me këtë situatë të bllokuar institucionale ka reaguar ish-deputeti dhe zyrtari i lartë i AAK-së, Pal Lekaj, i cili ka thënë se vendi është më afër zgjedhjeve të reja sesa zgjidhjes së ngërçit në Kuvend për shkak të, siç e ka quajtur ai, “paaftësisë dhe arrogancës së Qeverisë”, transmeton lajmi.net.

“Të themi të drejtën, sot jemi më afër zgjedhjeve të reja sesa zgjidhjes së ngërçit në Kuvend, pikërisht për shkak të paaftësisë dhe arrogancës së kësaj Qeverie. Kryeministri ka humbur shumicën funksionale, Kuvendi është i paralizuar, qytetarët po vuajnë pasojat e mungesës së vendimmarrjes, ndërsa Qeveria vazhdon me kokëfortësi vetëm për interesa të veta politike,” ka deklaruar Lekaj për Gazeta Blic.

Ai ka shtuar se qeveria aktuale, në vend që të dialogojë për të gjetur zgjidhje, merret me propagandë dhe fajësime politike. Sipas tij, nëse Lëvizja Vetëvendosje nuk ka numrat dhe guximin për të marrë vendime, atëherë rruga më e ndershme është kthimi te qytetari përmes zgjedhjeve të reja.

“Në vend që të dialogojë dhe të kërkojë zgjidhje për qytetarët, kjo qeveri po merret me propagandë dhe me fajësimin e të tjerëve. Prandaj, nëse LVV nuk ka numrat dhe nuk ka guximin të marrë vendime, zgjidhja më e ndershme është të kthehemi te qytetari dhe të shkojmë në zgjedhje të reja, që vendi të ketë një shumicë stabile dhe një qeveri që e udhëheq Kosovën me përgjegjësi, jo me inate personale,” ka theksuar Lekaj./lajmi.net/